Lidhje

Shqipëria synon investimet italiane


Konferencë në Tiranë me pjesmarrjen e 170 ndërmarrjeve italiane. Kryeministri Rama: Këtu gjeni Amerikën tuaj. Presidenti i senatit italian Grasso: Kujdes nga kapitalet e jashtëligjshme dhe interesat kriminale në ekonomi

Në Shqipëri u hap sot një konferencë tre ditore e cila synon tërheqjen dhe mbështetjen e investimeve italiane, ku marrin pjesë afër 170 sipërmarrje nga Italia, 130 prej të cilave bien në kontakt për herë të parë me tregun shqiptar

Italia është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë. Vitin e kaluar vëllimi i shkëmbimeve arriti në mbi 2 miliard euro, ndërsa në tre muajt e parë të këtij viti ato janë sërish në rritje duke shkuar në mbi 496 milion euro. Kryeministri Edi Rama megjithatë u shpreh i pakënaqur me këto shifra që sipas tij janë të ulta në krahasim me shkëmbimet që vendet e tjera të rajonit kanë me Italinë.

Qeveria e zotit Rama synon të tërheqë sa më shumë investime italiane. Vetë kryeministri ka zhvilluar deri më tani tre takime në rajone të ndryshme të Italisë me sipërmarrësit e këtij vendi. Sipas zotit Rama, "Shqipëria ofron më shumë mundësi fitimi, ka taksa më të ulta dhe më pak burokraci sesa vetë Italia". Ai tha se në vendin e tij "investitorët italianë mund të gjejnë Amerikën e tyre.

Ndërsa presidenti i Senatit italian Pietro Grasso, një ish drejtues i prokurorisë antimafia, vuri theksin te forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Demokracia e re shqiptare duhet të jetë e vetdijshme se hyrja e kapitaleve të jashtëligjshme dhe e interesave kriminale në sipërmarrje dhe në financë, krijon iluzionin e mirëqënies, ndërsa ndot në mënyrë të pakorrigjueshme sistemin ekonomik dhe finanziar, me pasoja shkatërruese e potencialisht të pakthyeshme”, nënvizoi zoti Grasso.
XS
SM
MD
LG