Lidhje

Shqipëri, moti i keq, 3 të vdekur


Babë e bijë rrëmbehen nga ujërat në Lac ndërsa udhëtonin me makinë. Një i ri humbet jetën në një zonë të Kurbinit. Situata u normalizua gjatë ditës

Në Shqipëri moti i keq dhe rreshjet e vrullshme që përfshin vendin mbrëmë gjatë gjithë natës, shkaktuan tre viktima, dhe dëme në të gjithë zonën qëndrore dhe veriperëndimore.

Në Lac, babë e bijë, të cilët udhëtonin me një automjet, u rrëmbyen nga ujërat duke u gjetur më pas të mbytur. Rrjedhat e forta të ujërave I morën jetën edhe një tjetër të riu në një zonë të Kurbinit.

Problemet më të mëdha u rregjistruan në zonën e Lezhës, Lacit, Kurbinit e Mamurrasit por edhe në Durrës, Fier, Lushnje apo dhe në kryeqytet. Shirat e vrullshëm përmbytën rrugët e Tiranës, duke hyrë dhe në banesa e shkolla. Vecanërisht e vështirë situata ishte në disa zona periferike. Dëme u shkaktuan dhe në sistemin e ujësjellësit, duke cuar në ndërprerjen e furnizimit në shumë lagje të kryeqytetit.

Në orët e vona të natës, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi u mblodh shtabi i emergjencës, i cili u mor me koordinimin e ndërhyrjeve dhe operacioneve të shpëtimit, ku u angazhuan forca të policisë por edhe të ushtrisë.

Përmirësimi i motit në orët e para të mëngjesit, lehtësoi më pas ndërhyrjet për normalizimin e e gjendjes dhe riparimin e dëmeve. Zëvendëskryeministri Peleshi tha sot se shtabet e emergjencës do të vazhdojnë të ndjekin situatën si dhe të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

XS
SM
MD
LG