Lidhje

Tension në parlament, vezë kryeministrit


Opozita kërkoi miratimin urgjent të akteve që lidhen me ligjin për dekriminalizimin, dhe një ndryshim në këtë ligj, pas rikthimit të deputetit Armando Prenga. Paloka: Pa këto kushte nuk do të ketë parlament

Fishkëllima, deputetë të opozitës që kishin rrethuar foltoren, parrulla “Jashtë kriminelët” dhe vezë që fluturonin në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ishin pamjet që ofroi sot parlamenti shqiptar, gjatë një seance të tensionuar. Në fakt ajo ishte paralajmëruar e tillë. Dhe kontrollet në hyrjen e godinës ishin më të rrepta se kurrë më parë, ndaj deputetëve. Disa përfaqësuesve të opozitës ju gjetën kokrra vezësh, por të tjera duket se kishin mundur të kalonin për t’u përdorur gjatë seancës. Njëra prej tyre preku ministren e marrëdhënieve me parlamentin Ermonela Felaj. Ndërsa dy të tjera përfunduan në mur, pa mundur të kapnin kryeministrin Edi Rama, objektiv të këtyreve sulmeve.

Acarimi i opozitës, sic ishte bërë i ditur që prej dy ditësh, lidhej me rikthimin në parlament të deputetit Armando Prenga, i përfshirë vjeshtën e kaluar në një konflikt të armatosur. Fillimisht ai u arrestua, më pas kaloi në arrest shtëpiak, ndërsa javën e shkuar gjykata vendosi masën detyrim për paraqitje. Mbrëmë ai deklaroi se nuk do të merte më pjesë në punimet e parlamentit, por sot ai u shfaq në seancë për pak minuta, vetëm për të rregjistruar pjesmarrjen e tij e për t’i shpëtuar kështu, humbjes së mandatit, në rast të një mungese 6 mujore.

Në fjalën e tij kryetari i grupit demokrat Edi Paloka akuzoi drejtpërdret kryeministrin Edi Rama si përgjegjës të situatës së krijuar, ndërsa renditi dhe një herë kërkesat e opozitës: “Ky parlament nuk funksionon. Mbyllet sot. Mbyllet këtu. Ose vendosim të ecim pa krimin, ose nuk ka më asnjë seancë. Me krimin vazhdo ti, ti që e ke kthyer partinë laborator të trafikantëve. Ne dhe qytetarët nuk të vijmë pas. Kalojmë sot, kalo tani propozimin tonë që pezullon të zgjedhur e funksionarë të arrestuar në kushte flagrance plagosje apo vrasje me dashje. Kalojmë sot vendimin e Kuvendit për zbatimin e dekriminalizimit. Kalojmë sot, kalojmë tani kërkesën Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandatit të deputetëve që janë kapur në shkelje të Kushtetutës duke marrë miliona euro dhe hekurudhën për vete dhe për fëmijët, Koco Kokëdhima, Rakip Suli e Valentina Leskaj. Ose ndryshe parlament nuk ka më”.

Pas fjalës së zotit Paloka, opozita u ngrit e gjitha në këmbë rreth foltores për të bllokuar vazhdimin e mëtejshëm të seancës, por pas një ndërprerjeje të saj, shumica kaloi me shpejtësi votimet për dekretet e presidentit për ndryshimet në qeveri, duke mbyllur brenda një kohe shumë të shkurtër punimet e parlamentit.

Në dalje, deputeti socialist Taulant Balla, foli për kërkesat e opozitës, duke kujtuar se palët kanë rënë dakort që aktet për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit të miratohen muajin e ardhshëm dhe duke e cilësuar si një tekë të opozitës kërkesën për ndryshime të tjera në ligj: “Ligjet janë ligje dhe duhen implementuar. Ligji për integritetin ka kaluar përmes një procesi ku ne kemi marrë në konsideratë të gjitha propozimet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Pra ligji që kemi miratuar ka ardhur si pasojë e shumë propozimeve të ardhura. Në atë kohë nuk i kanë pasur këto propozime. Jam shumë i sigurtë që pas një muaji do sjellin një kat tjetër shtesë, në ndërtimin e tyre pa leje”.

Për zotin Balla, qëndrimi i sotëm i opozitës, është thjesht një lëvizje për të justifikuar bllokimin e parlamentit tani që po afron miratimi i reformës në drejtësi, u shpreh deputeti socialist.

XS
SM
MD
LG