Lidhje

Shqipëri, 1.89% rritja ekonomike në 2014


Në tremujorin e fundit ekonomia u rrit me 2.42 përqind. Ngjitjen më të madhe me bazë vjetore e regjistroi sektori I Ndërtimit me 10.8 përqind

Në Shqipëri rritja ekonomike në vitin 2014 rezultoi të ishte 1.89 përqind, sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Statistikave, i cili publikoi sot vlerësimet e ecurisë së ekonomisë gjatë tremujorit të fundit të vitit që shkoi

Shifrat e bëra publike sot tregojnë se në fundin e 2014, ekonomia është rritur me 2.42 për qind. Rritja më e madhe në bazë vjetore është rregjistruar nga Ndërtimi me 10.8 përqind, kjo falë rritjes së fortë të investimeve publike në këtë periudhë. Grupi Tregti, Hotele dhe Restorante, është rritur me 3.26 përqind, i pasuar nga grupi Shërbime të tjera me 3.21 përqind, ndërsa Transporti dhe Industria, u rritën respektivisht me 3 dhe 1.61 përqind.

Një rënie të fortë ka regjistruar grupi Posta dhe Komunikimi, me -9.48 përqind dhe Bujqësia e cila gjithashtu ka shënuar rritje negative me -2.66 përqind.

Në rritjen prej 1.89 përqind të ekonomisë përgjatë 2014 duket se ka ndikuar ndjeshëm rishikimi në ngjitje i tremujorit të dytë dhe të tretë, të cilët janë rivlerësuar me gati 1 pikë përqindje më shumë.

Ndonëse bëhet fjalë për një të dhënë paraprake, shifra e sotme, mbetet poshtë parashikimit të qeverisë e cila priste një rritje ekonomike prej 2.1 përqind gjatë 2014-s.

XS
SM
MD
LG