Lidhje

Shqipëri, problemet e furnizimit me ujë cënojnë turizmin


Autoritete qeveritare në Shqipëri flasin me një optimizëm të lartë për sezonin turistik të këtij viti në Shqipëri, por disa sfida me sektorët jetikë të turizmit mbeten për t`u kapërcyer.

Të dhënat e një Raporti të Entit Rregullator të Ujit flasin se shumica e qyteteve bregdetare shqiptare, të cilat përballojnë edhe rimin e lartë të turistëve në sezonin veror, furnizohen vetëm me disa orë ujë të pijshëm në ditë. Kështu sipas raportit, kohëzgjatja e furnizimit me ujë për Durrësin është 3,7 orë, për Kavajën 9,23 orë, për Sarandën 8 orë, për Orikumin 2,46 orë dhe për Vlorën 12,53 orë. Vetëm Pogradeci ka tregues normal të furnizmit me ujë 23.75 orë dhe Lezha 20,12 orë. E gjithë pjesa tjetër e furnizmit me ujë të zonave bregdetare gjatë 24 orëve mbulohet me depozitat e siguruara nga banorët dhe subjektet private.

Raporti vlerëson se edhe gjendja e këtij sektori në Shqipëri është mjaft problematike. Kështu sipas Raportit të Entit Kombëtar të Ujit për vitin 2016, i paraqitur këto ditë në Parlamentin shqiptar, Shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve mbulojnë 79% të popullsisë me furnizimin me ujë, ndërsa përsa i përket shërbimit të grumbullimit e largimit të ujërave të ndotura mbulohet vetëm për 49% të popullsisë.

Tregues mjaft të ulët ka në trajtimin e ujërave të ndotura ku ky shërbim kryhet vetëm për 10 % të popullsisë. “Mbulimi me shërbimet e ofruara në qytet dhe në fshat është në disnivele të mëdha”, vlerëson Raporti i Entit Kombëtar të Ujit,.

“Përqindja e mbulimit me shërbimin e furnizimit me ujë në qytet arrin 90% ndërsa në fshat 62,7%. Kjo diferencë thellohet më shumë përsa i përket mbulimit me shërbim me kanalizime, në qytet ky mbulim arrin në vlerën 76,7% ndërsa në fshat është 6,6%”, vlerëson raporti.

“Niveli i treguesve mbulimi me shërbimin e furnizimit me ujë, mbulimi me kanalizime, kohëzgjatja e furnizimit me ujë, është më i ulët se një vit më parë dhe tendenca e këtyre treguesve nuk është pozitive, thuhet në Raport. Sektori i ujit në Shqipëri paraqet mjaft probleme edhe në realizmin e të ardhurave nga përdoruesit. Rreth 36% e përdoruesve i përkasin shërbimit aforfe që tregon se niveli i faturimit me këtë formë fikse pavarësisht sa ujë harxhohet mbetet në nivele të larta.

“Niveli i humbjeve në sektor është 67% dhe Raporti vlerëson se kjo tregon se pjesa më e madhe e ujit të prodhuar humbet, për rrjedhojë jo vetëm nuk gjeneron të ardhura por rrit edhe kostot e shërbimit të furnizimit me ujë”.

Sipas Entit Kombëtar të Ujit “ky tregues, të paktën për në katër vitet e fundit, mbetet në nivele aspak të mira dhe përbën shqetësimin kryesor”. Enti vlerëson se “në vitin 2016 konsumatorët janë furnizuar me ujë mesatarisht 11.4 orë në ditë dhe krahasuar me vitin 2015 kohëzgjatja mesatare e furnizimit me ujë e përllogaritur është ulur. Sipas specialistëve të sektorit analiza e humbjeve tw ujit bazuar në Bilancin e Ujit tregon se humbjet menaxheriale janë nё nivele pothuajse të njëjta me ato teknike.

Përmirësimi i furnizimit me ujë prej vitesh ka qenë në Shqipëri temë e premtimeve të politikanëve si në zgjedhjet vendore edhe parlamentare por kriza e këtij sektori shihet sipas analistëve politikë si dëshmia më e qartë se se sa larg politikbërja është ndaj nevojave jetike të qytetarëve.

XS
SM
MD
LG