Lidhje

Shqipëri, jep dorëheqjen Xhemal Gjunkshi


Në tekstin e dorëheqjes, Shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë nuk jep asnjë motiv mbi shkaqet e veprimit të tij

Në Shqipëri Shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Xhemal Gjunkshi dha sot dorëheqjen. Vendimin e tij ai ja bëri të ditur presidentit Bujar Nishani.


Në tekstin e dorëheqjes gjenerali madhor i ushtrisë shqiptare nuk jep asnjë motiv mbi shkaqet. Largimi i tij vjen vetëm dy muaj pas ndërrimit të pushtetit në Shqipëri. Në letrën e dorëheqjes ai mjaftohet të vërë në dukje arritjet e ushtrisë që prej gushtit të vitit 2011 kur mori detyrën e lartë. Gjunkshi përmend rezultatet e ushtrisë shqiptare, që nga operacionet në ndihmë të popullatave në raste të fatkeqësive natyrore, te demontimi i armëve dhe municione të rrezikshme dhe misionet e tyre jashtë vendit.

Zoti Gjunkshi, një ushtarak karriere, është vënë shpesh nën kritika dhe akuza, vecanërisht dy vitet e fundit, kur pati disa lëvizje të krerëve të strukturave të larta të ushtrisë. Rasti më i fundit është ai i majit të këtij viti kur u shkarkuan tre gjeneralë, mes të cilëve dhe zëvendës shefi i Shtabit të përgjithshëm Sandër Lleshi. Ata e kundërshtuan si të pabazuar vendimin. Socialistët në atë kohë në opozitë dolën në mbrojtje të gjeneralëve të shkarkuar. Pas zgjedhjeve kryeministri Rama emëroi zotin Lleshi si këshilltar të tij për Mbrojtjen.

Shefi i shtabit Gjunkshi u përmend më pas edhe për cështjen e Shtëpisë qëndrore të ushtrisë pasi kundërshtoi kalimin e saj si seli e partisë demokratike.

XS
SM
MD
LG