Lidhje

Humbja e Shqipërisë përballë Zvicrës


Në pjesëmarrjen e parë në një kampionat të rëndësishëm ndërkombëtar, skuadra shqiptare u ndëshkua që në minutat e para të lojës nga një veprim i nxituar i portierit Berisha, si dhe në vazhdim nga dalja nga loja pas dy kartonave të verdhë të kapitenit Cana që rezultuan në një të kuq. Megjithë mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve të shumtë shqiptarë, gabimet në lojë dhe në organizim nuk e lejuan skuadrën kombëtare shqiptare të shënonte në portën zviceriane.

Në ndeshjen e parë të rëndësishme në një konkurrim kryesor ndërkombëtar, skuadra shqiptare u përball me realitetin e pjesëmarrjes në kampionate të një niveli të tillë.

Në minutat e para të lojës, portieri Etrit Berisha u nxitua në përpjekje për të frenuar një goditje nga këndi të Xherdan Shaqirit dhe i dha kështu shansin Fabian Schaer të shënonte golin e fitores për zvicerianët që në minutën e pestë të lojës.

Ekipi shqiptar i bëri edhe një “dhuratë” tjetër skuadrës zviceriane, kur kapiteni me përvojë Lorik Cana mori karton të kuq pas dy shkeljeve. Dalja e tij nga loja ndodhi pikërisht kur skuadra shqiptare po e rimerrte veten dhe sapo kishte humbur edhe një shans barazimi. Armando Sadiku nuk mundi të shënonte në portën e mbrojtur nga Yann Sommer.

Ekipi shqiptar nuk u dorëzua dhe krijoi një tjetër mundësi për gol me futjen në lojë të Shkëlzen Gashit, i cili gjithashtu nuk arriti dot të shënojë.

Tensioni i krijuar ndër lojtarët shqiptarë u shfaq në gjeste si hedhja e shishes së ujit në fushë nga Taulant Xhaka, kur u zëvendësua.

Loja e djeshme u ndoq me interes jo vetëm se Shqipëria merrte pjesë për herë të parë në një kampionat aq të rëndësishëm. Ishte gjithashtu hera e parë në historinë e UEFA-s, që dy vëllezër, Taulant dhe Granit Xhaka i Zvicrës, luanin për dy ekipe kundërshtare. Pasqyrimi më pikant i këtij fakti, erdhi në formën e një bluze që kishte veshur nëna e lojtarëve, që kishte gjysmën e shqiponjës së flamurit shqiptar dhe gjysmën e kryqit të bardhë të flamurit zvicerian. Mediat komentuan edhe për përkushtimin e tifozëve të kombëtares shqiptare. UEFA-n në faqen e saj të Facebook-ut postoi një seri fotografish ku thoshte se kjo kombëtare mund të ketë humbur lojën e parë në EURO, por tifozët nuk hoqën dorë kurrë nga mbështetja për skuadrën e tyre.

Por, nëse gabimet e skuadrës së Giovanni De Biasit përsëriten, ato mund të ndëshkohen gjatë përballjes me Francën të mërkurën.

De Biasi e pranoi që skuadra franceze do të jetë favorite dhe do të jetë e vështirë për kombëtaren shqiptare, por shtoi se asgjë nuk është e pamundur.

XS
SM
MD
LG