Lidhje

Shtëpia e Bardhë bën thirrje për shtensionimin e situatës në Egjipt


Shtëpia e Bardhë bën thirrje për shtensionimin e situatës në Egjipt
Shtëpia e Bardhë bën thirrje për shtensionimin e situatës në Egjipt

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë bën të ditur se Presidenti Barak Obama ka dënuar dhunën e djeshme në Egjipt si “indinjuese dhe t]ë urryer”. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë se zëdhënësi tha se zoti Obama ia bëri të qartë Presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, se ka ardhur koha për kalimin e pushtetit në Egjipt.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se Presidenti Obama kërkon që dhuna në rrugët e Kajros të ndalet dhe të fillojë kalimi i pushtetit.

"Presidenti dhe kjo administratë dënojnë ashpër dhunën indinjuese dhe të urryer që ka pllakosur rrugët e Kajros. Ne e kemi thënë këtë gjatë gjithë kësaj kohe. Duhet patjetër që çdo formë dhune e nxitur nga qeveria të ndërpritet menjëherë”.

Zoti Obama foli në telefon me homologun e tij egjiptian të martën vonë. Në konferencën e shtypit dje në Shtëpinë e Bardhë, Gibs nuk tha se presidenti ka këmbëngulur që zoti Mubarak të japë dorëheqjen, por tha se zoti Obama ka bërë thirrje për ndryshime.

"Biseda që presidenti pati me Presidentin Mubarak ishte e drejtpërdrejtë, e sinqertë dhe e ndershme. Pa hyrë në hollësitë e saj, mesazhi që presidenti i transmetoi Presidentit Mubarak ishte se koha për ndryshime ka ardhur”.

Gibs përsëriti deklaratën që bëri javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara po rishikojnë politikën e tyre për ndihmën prej 1.3 miliardë dollarësh që i japin çdo vit Egjiptit dhe se vendimi varet nga qendrimi i qeverisë egjiptiane. Ai tha se zoti Obama do të mbajë kontakte me Presidentin Mubarak. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë i cilësoi ngjarjet në Egjipt “shumë fluide dhe dinamike”.

Dje më herët, shefi i presonelit të Shtëpisë së Bardhë, Uilliam Dejli tha se situata në Egjipt është jashtë kontrollit amerikan. Ai tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që rezultati të jetë një qeveri e fortë, e qendrueshme dhe laike në Egjipt. Dejli u tha gjithashtu gazetarëve se kryengritja popullore mund të shtrihet përtej kufijve të Egjiptit.

XS
SM
MD
LG