Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Dokumentet janë të vërteta dhe përbëjnë kërcënim të mundshëm


Shtëpia e Bardhë: Dokumentet janë të vërteta dhe përbëjnë kërcënim të mundshëm
Shtëpia e Bardhë: Dokumentet janë të vërteta dhe përbëjnë kërcënim të mundshëm

Dokumentet sekrete me raportime nga fushëbeteja që mbulojnë periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2009, të cilat u publikuan nga gazetat kryesore në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Gjermani, ofrojnë nga një herë një panoramë të zymtë të sfidave që përballen forcat amerikane dhe të NATO-s.

Ndër çështjet kryesore përfshihet edhe përdorimi i raketave që ndjekin nxehtësinë nga forcat talebane, problemet me avionët e telekomanduar amerikanë, sugjerime për vazhdimin e bashkëpunimit të zyrtarëve pakistanez të nivelit të lartë me talebanët dhe incidente të panjoftuara për vrasjet e civilëve afganë.

Zëdhënësi i Shtepisë së Bardhë Robert Gibbs nuk pranoi të përshkruante reagimin e presidentit Obama kur mësoi për daljen e dokumenteve sekrete. Ai tha se zbardhja e tyre mund të jetë e dëmshme dhe se hetimet kanë vazhduar.

Kur flitet mundësisht për emrat dhe për operacionet dhe programet që janë publikuar në internet, përveç se është thyer ligji, ato mund të krijojnë probleme për ata që janë në ushtrinë tonë, ata që po bashkëpunojnë me ushtrinë tonë dhe ata të cilët po punojnë për të na mbajtur ne të sigurtë.

Zoti Gibbs tha se Shtëpia e Bardhë u informua javën e kaluar për zbulimin e dokumenteve dhe kishte lajmëruar komisionet përgjegjëse në Kongresin amerikan. Por ai minimizoi sugjerimet se Shtëpia e Bardhë ishte përpjekur të përmbante ndonjë dëm të mundëshëm politik. Zoti Gibbs tha se zyrtarët i kishin përcjellur një mesazh shefit të WikiLeaks përmes punonjësve të gazetës The New York Times, duke i thënë se këto informata mund të dëmtonin personelin apo kërcënonin operacionet apo reduktonin masat e sigurisë.

Ndërkohë, në një takim tjetër të përqendruar në çështjet legjislative, presidenti Obama nuk pranoi të përgjigjej ndaj pyetjeve të bëra nga gazetarët rreth dokumenteve mbi Afganistanin.

Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit lidhur me pyetjet mbi dokumentet sekrete rreth Afganistanit.

Zëdhënësi i Departamenti të Shtetit P.J. Crowley kishte këtë reagim ndaj gazetarëve që pyetën rreth tablosë që paraqisnin dokumentet mbi angazhimin e Pakistanit ndaj luftës kundër ekstremizmit.

Pakistani ka ndërmarrë hapa domethënës. Ofensiva në Luginën Swat dhe Vaziristanin jugor janë tregues të fuqishëm se Pakistani e ka kuptuar se grupet kryengritëse, që faktikisht ndodhen brenda kufinjëve të atij vendi, përbëjnë një kërcënim jo vetëm për Afganistanin dhe Shtetet e Bashkuara por kryesisht për vet Pakistanin. Ndaj ne besojmë se Pakistani ka ndërmarrë një lëvizje strategjike themelore.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Forcat e Armatosura, demokrati nga Missouri Ike Skelton, tha se nderkohë që kjo çështje është problematike, dokumentet sekrete të publikuara datojnë para stategjisë së re të presidentit Obama për Afganistanin. Ato nuk duhet të përdoren, thotë zoti Skeleton, si masë suksesi apo faktor përcaktues në misionin amerikan atje.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Mardhëniet me Jashtë, demokrati nga Massachusetts John Kerry, theksoi natyrën e paligjshme të publikimit të dokumenteve, por ai shtoi se ato ngrejnë pyetje serioze rreth realitetit të politikave amerikane ndaj Pakistanit dhe Afganistanit.

Duke thënë se politikat e presidentit Obama në rajon janë në një fazë kritike, zoti Kerry tha se dokumentet mund ta bëjnë më urgjente nevojën për të bërë ndryshime dhe përmirësuar politikat për atë rajon.

XS
SM
MD
LG