Lidhje

Shtetet e Bashkuara zgjerojnë shpërndarjen e vaksinave


US Launches Coronavirus Vaccine Distribution

Shtetet e Bashkuara po zgjerojnë përhapjen e vaksinave të sapomiratuara për COVID-19 në qindra pika shpërndarjeje ku mijëra punonjës të kujdesit shëndetësor pritet të vaksinohen.

Gati 1 mijë doza të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 kanë mbërritur në Spitalin Metodist të Universitetit të Indianës në Indianapolis.

"Është emocionuese. Kjo është drita në fund të tunelit," thotë Tate Trujillo, drejtori i farmacisë së spitalit. Por procesi i vaksinimit paraqet sfida, thotë ai:

“Në gjendjen aktuale, me rritje të rasteve të COVID-it, rritje të numrit të pacientëve, personelin e lodhur dhe me shtimin e këtij procesi, është sfiduese. Të gjithë janë të ngarkuar në maksimum. Dhe duhet të sigurohemi që t’i bëjmë gjërat siç duhet. Duke qenë se vaksina e kompanisë Pfizer ka një kohëzgjatje shumë të kufizuar në temperaturë normale, shpejtësia është kritike".

Dr. Steven Roumpf ishte një nga të parët në spital që u vaksinua.

"Kemi kaluar nëntë muaj të gjatë. Ishte një privilegj dhe nder të isha në vijën e parë të frontit dhe të kujdesesha për njerëzit," thotë mjeku.

COVID-19 ka shkaktuar vdekjen e mbi 310,000 njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe ka infektuar më shumë se 17 milionë, duke mbingarkuar sistemin e kujdesit shëndetësor, duke shkaktuar pasoja ekonomike humbjen e vendit të punës për miliona vetë.

Vaksina është hapi i parë drejt rimëkëmbjes, thonë ekspertët mjekësorë.

"Jemi vërtet shumë të entuziazmuar nga efektiviteti dhe siguria e kësaj vaksine. Dhe mendoj se me shtimin e numrit të amerikanëve dhe njerëz në gjithë botën që vaksinohen, pandemia do të dobësohet”, thotë Dr. Bill Petri, Profesor i Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Virxhinias.

Por ka pasur disa raste reaksioni alergjike ndaj vaksinës, përfshirë disa në Britani dhe një të enjten në Alaskë.

Ka pasur gjithashtu vështirësi për shpërndarjen e vaksinës në zona të largëta në të gjithë botën për shkak të nevojës për të mbajtur dozat në temperature shumë të ulëta.

Dr. Burak Kazaz, ekspert i zinxhirit të furnizimit, shpjegon:

"Për qytetet metropolitane në Afrikë, masat logjistike që kemi marrë për tregun amerikan nuk ndryshojnë. Sidoqoftë, për zonat e largëta, mund të jetë mjaft sfiduese, dhe mund të na duhet të përdorim për shembull, teknologjitë e dronëve për të shpërndarë në periudha kaq të shkurtra kohore këto vaksina."

Ndërkohë të enjten, numri i rasteve në të gjithë botën ka tejkaluar 74.6 milionë sipas përllogaritjeve të Universitetit Johns Hopkins.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG