Lidhje

Vazhdojnë luftimet në qytetin sirian të Kobanit


Luftimet u ndezën sot në qytetin kurd Kobani në Siri pranë kufirit me Turqinë, ndërkohë që udhëheqësit kurd të sirisë thonë se ndërtesa kryesore qeveritare kanë rënë në duart e forcave të Shtetit Islamik.

Burimet kurde i thanë Zërit të Amerikës se Shteti Islamik kontrollon ndërtesën e gjykatës, zyrat qendrore të policisë dhe ndërtesën kryesore të bashkisë në qendër të qytetit. Njoftimet nga ana kurde flasin për luftime tepër të ashpra në të dy anët e qytetit.

Ashya Abdullah, bashkë-kryetar i një partie të madhe siriano-kurde i tha shërbimit kurd të Zërit të Amerikës se në qytetin e Kobanit po zhvillohen luftime shumë të ashpra, në dy pjesë të qytetit.

Luftëtarët kurdë po përpiqen të frenojnë ofensivën tri-javore të Shtetit Islamik që synon të vërë nën kontroll këtë qytet strategjik në kufi.

Ushtria amerikane dhe forcat e koalicionit, kanë vazhduar ndërkohë bombardimet nga ajri kundër objektivave të Shtetit Islamik në Koban.

I dërguari i OKB-së në Siri, i bëri thirrje Turqisë të lejojë forcat vullnetare kurde të kalojnë kufirin për në Siri, që të ndihmojnë forcat kurde për të mbrojtur qytetin. Ai paralajmëroi se rreth 70 civilë, që janë të bllokuar në qytet dhe rreth 12 mijë të tjerë pranë tij, ka shumë mundësi të masakrohen në se qyteti bie në duart e grupit Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG