Lidhje

Shtohen rastet e diabetit


Shtohen rastet e diabetit
Shtohen rastet e diabetit

Numri i të rriturve me diabet në botë është mbi dyfishuar në tre dekadat e fundit, duke arritur në gati 350 milionë. Sipas një studimi në revistën Lancet, ky numër vazhdon të rriten veçanërisht në vendet e ishujve të Paqësorit, në Amerikën e Veriut dhe disa nga vende të Gjirit Persik. Në disa vende shkaku është plakja e popullsisë , në vende të tjera për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë dhe në pjesë të ndryshme për shkak të përhapjes së shpejtë të mbipeshës, veçanërisht mes të rinjve.

Është dokumentuar se diabeti është një problem global. Një studim i ri tregon se një në dhjetë të rritur në të gjithë botën, vuan nga diabeti. Goodarz Danaei në Shkollën e Shëndetit Publik në Harvard është një nga autorët e studimit.

"Studimi tregon se diabeti nuk është më sëmundje e vendeve të pasura."

Studiuesit mblodhën të dhëna mbi nivelet e sheqerit në gjak nga rreth tre milionë njerëz në 200 vende për një periudhë 30 vjeçare. Shumica e pjesëmarrësve kishte diabet të tipit 2, sëmundje që lidhet me plakjen, mbipeshën dhe plogështinë fizike.

Njerëzit me diabet nuk mund të kontrollojnë nivelet e sheqerit në gjak. Kjo mund të çojë në sëmundje të zemrës dhe goditje në tru, paaftësi fizike dhe vdekje të parakohëshme.

Edhe në vendet ku diabeti nuk është shumë i përhapur, popullatat janë shtuar dhe në këtë mënyrë edhe numri i diabetikëve.

"Edhe nëse vetëm 2 përqind ose 1 përqind e popullsisë është diabetike, por ju keni më shumë se një miliard njerëz në vendin tuaj, numri i pacientëve me diabet do të ndikojë në shtimin e kostos dhe në burimet e sistemit shëndetësor për të vënë në kontroll dhe menaxhuar sëmundjet."

Diabeti është një nga sëmundjet më të shtrenjta për t'u trajtuar, sepse kërkon kujdes afatgjatë - jo vetëm për të rregulluar nivelet e sheqerit në gjak, por për t'u marrë me komplikimet e rënda shëndetësore të saj. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se më shumë se 70 përqind e njerëzve me diabet jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Shumë njerëz në këto vende nuk mund të përballojnë blerjen e barnave për të kontrolluar diabetin e tyre dhe as vendi nuk i ka aftësitë për një shërbim të efektshëm shëndetësor.

"Ata duhet të gjejnë mënyrat me kosto efektive ose për parandaluar sëmundjen ose për diagnostikimin e saj në një fazë më të hershme ose për të trajtuar komplikimet e diabetit në një mënyrë shumë më efektive."

Studimi botuar në revistën Lancet vërteton atë që mjekët si Betul Hatipolu në Klinikën Cleveland shohin gjatë punës së tyre.

"Kjo nuk është një befasi për ne. Kur ne praktikojmë çdo ditë, ne shohim aq shumë raste të reja."

Autorët thonë se qeveritë duhet të nxisin një jetesë të shëndetshme për shtetasit e tyre. Kjo është gjithashtu ajo që mjekët kërkojnë nga pacientët e tyre.

"Unë u them të gjithëve se ata duhet të ushtrojnë dhe të hanë ushqime të shëndetshme, përndryshe janë në rrezik për t'u prekur nga diabeti."

Autorët e studimit thonë se diabeti ka të ngjarë të jetë një nga veçoritë përcaktuese të nevojave të shëndetit global nëse fushata publike shëndetësore kundër kësaj sëmundje nuk arrinë t'a parandalojnë atë.

XS
SM
MD
LG