Lidhje

Shtohet numri i të rinjve amerikanë me goditje në tru


Shtohet numri i të rinjve amerikanë me goditje në tru
Shtohet numri i të rinjve amerikanë me goditje në tru

Një studim mbarëkombëtar në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar rritje të ndjeshme në mes të viteve 1990 në numrin e të rinjve amerikanë të shtruar në spital për goditje në tru, ndërkohë që ka pasur rënie në numrin e amerikanëve në moshë më të madhe që marrin kujdes spitalor për këto probleme:

Ariadne pësoi goditje në tru në moshën 16 vjeçare, duke mbetur plotësisht e paralizuar në anën e majtë. E ëma, Carol Popma ishte e pranishme:

“Ishte e tmerrshme, pasi ajo po tërhiqte zvarrë këmbën dhe krahun e kishte krejt pa jetë. E kuptuam që po ndodhte diçka e keqe”.

Kur ndodhin goditje në tru, qelizat e trurit dëmtohen ose shkatërrohen kur koagula apo masa të yndyrshme bllokojnë enët e gjakut që ushqejnë trurin.

Në varësi të kohëzgjatjes së një bllokimi dhe të qelizave të dëmtuara, pasojat e goditjeve në tru mund të variojnë nga paraliza deri në vdekje.

Ariadne është me fat pasi e dërguan menjëherë në spital për mjekim dhe po reagon mirë ndaj trajtimit. Por ekspertët thonë se 10-30 për qind e këtyre goditjeve mund të kenë pasoja fatale.

Ky rrezik zakonisht shoqëron moshat e thyera. Por një studim i ri federal arriti në përfundimin se që nga mesi i viteve 1990 ka pasur një rritje dramatike të numrit të amerikanëve nën moshën 35 vjeçare (përfshirë fëmijë dhe adoleshentë) të shtruar në spital për goditje në tru.

Studiuesit i kategorizuan të dhënat spitalore të viteve 1994-1995 në bazë të moshës dhe gjinisë dhe më pas i krahasuan këto shifra me ato të regjistruara nga viti 2006-2007. Krahasimi tregoi një rritje prej 51 për qind për meshkujt nga mosha 15-34. Për femrat e së njëjtës grup-moshë pati një rritje prej 17 për qind.

Mary George e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta të Xhorxhias është ndër autorët e studimit:

“Po shohim një prirje të shtimit të numrit të të rinjve të shtruar në spital me goditje në tru. Për momentin nuk e dimë nëse ky shtim është rezultat i praktikave spitalore apo diagnozës”.

Zonja George thotë se tensioni i lartë, diabeti dhe obeziteti janë faktorë rreziku për goditje në tru. Por ajo shton se studimi nuk mori parasysh faktorë që mund të shkaktojnë goditje në tru:

“Mendoj se është me shumë rëndësi të analizohen faktorët e rrezikut tek këta pacientë dhe të shihet mos ka ndonjë prirje specifike shqetësuese”.

Ekspertët e shëndetit publik spekulojnë se obeziteti tek fëmijët dhe të rinjtë mund të jetë faktor që ka kontribuuar në rritjen e ndjeshme të shtrimeve në spital.

Doktor Chelsea Kidwell, specialiste e fushës në Qendrën Mjekësore Georgetown mendon se rritja e ndërgjegjësimit për faktorët që përbëjnë rrezik për goditje në tru ka rëndësi kritike:

“Nëse njerëzit punojnë nga afër me mjekët e tyre për të kuptuar çfarë faktorësh rreziku kanë dhe çfarë masash duhet të marrin për të ulur këtë rrezik, atëherë ata do të ulin si rrezikun për goditje në zemër ashtu edhe në tru”.

Disa ekspertë mendojnë se përmirësimi i informimit të publikut për këto rreziqe dhe diagnostikimi më i mirë si dhe mjekimi i problemeve që mund të çojnë në goditje në tru kanë ndihmuar në krijimin e një prirjeje të re që zbuloi studimi: një rënie deri në 25 për qind e numrit të amerikanëve nga 34 -65 vjeç që shtrohen në spital për këtë problem.

Nuk është e qartë se çfarë faktorësh e sollën këtë rënie dhe përse problemet në tru janë rritur për amerikanët në moshë më të re. Studiuesit në Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve thonë se duhen bërë më shumë studime për të zbuluar lidhjen e mundshme mes stilit të jetesës, dietës, gjenetikës familjare dhe faktorëve të mjedisit.

XS
SM
MD
LG