Lidhje

Sigurimi kombëtar gjatë vitit 2015


Anketat e opinionit publik tregojnë se votuesit amerikanë e konsiderojnë terrorizmin dhe sigurinë kombëtare çështje kryesore në fushatën zgjedhore presidenciale gjatë vitit 2016, në vazhdën e sulmeve të fundit terroriste në Paris të Francës dhe San Bernardino të Kalifornisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone sjell më shumë hollësi se si kandidatët për Shtëpinë e Bardhë nga të dyja partitë kryesore politike i janë përshtatur këtyre ndryshimeve, ndërsa fushata po nxehet.

Donald Trump mbetet figurë mbizotëruese në garën presidenciale republikane dhe sondazhet e fundit tregojnë se votuesit republikanë e vlerësojnë atë më shumë se rivalët e tij për komentet mbi terrorizmin.

"Këto do të jenë zgjedhje bazuar në kompetencë, zgjuarsi dhe vendosmëri, përndryshe vendi ka mbaruar", thotë ai.

Në debatin e fundit të kandidatëve republikanë, rivali Jeb Bush shtroi pyetjen nëse Donald Trump ishte gati për të udhëhequr.

"Nëse zgjidhem president, unë do të jem një komandant i përgjithshëm, jo agjitator i përgjithshëm ose përçarës i përgjithshëm, por do ta udhëheq vendin drejt një sigurie më të madhe", tha zoti Bush.

Ekspertët mendonin se fokusi mbi sigurinë do t’i ndihmonte kandidatët si Jeb Bush, por nuk doli ashtu, thotë analisti Stuart Rothenberg.

"Një krizë e politikës së jashtme ose një mjedis i përqendruar në mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare do të ndihmonte kandidatët që kanë një farë përvoje në politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë kombëtare. Por deri tani shenjat janë se këto çështje kanë ndihmuar kandidatin që flet më shumë dhe bën zhurmë më shumë, që është Donald Trump."

Theksi mbi sigurinë mund të ketë ndihmuar edhe kandidaten demokrate Hillari Klinton të zgjerojë epërsinë e saj mbi rivalin Bernie Sanders.

Znj. Clinton dëshiron të intensifikojë fushatën ushtarake kundër luftëtarëve të shtetit islamik, por është duke vënë në dyshim strategjinë e disa prej kandidatëve republikanë.

"Duke premtuar një bombardim të fuqishëm e shkatërrues, kjo nuk ju bën të dukeni të fortë, por të çmendur", u shpreh zonja Klinton.

Gjatë debatit të fundit të demokratëve, Bernie Sanders pranoi kërcënimin e paraqitur nga Shteti Islamik, por paralajmëroi kundër përsëritjes së gabimeve të kaluara.

"Shtetet e Bashkuara duhet të udhëheqin, por Shtetet e Bashkuara nuk janë polic i botës, dhe nuk duhet të përfshihen në luftë të vazhdueshme në Lindjen e Mesme", tha ai.

Fokusi mbi terrorizmin dhe sigurinë mund të ndihmojnë znj. Klinton në zgjedhjet paraprake. Por ajo mund të ketë nevojë të shkëputet nga presidenti Barak Obama në zgjedhjet e përgjithshme, thotë John Fortier i Qendrës për Politika Dypartiake.​

"Sipas sondazheve, popullariteti i presidentit për politikën e jashtme ka rënë. Ai dallohet, sidomos në çështjen e terrorizmit, prandaj përgjithësisht parapëlqehet, por gjithësesi ekzistojnë mundësi që republikanët të përfitojnë nga rënie e këtij popullariteti."

Prova e parë e vërtetë për të gjithë kandidatët për president do të jetë në fillim të shkurtit me zgjedhjet paraprake në Iowa dhe New Hampshire.

XS
SM
MD
LG