Lidhje

Këshilli i Sigurimit miraton zgjatjen e një misioni vëzhgimi në Siri


Vota u jep mundësi 300 vëzhguesve të paarmatosur të fillojnë tranzicionin për mbylljen e misionit

Ndërsa luftimet intensifikoheshin në Siri dhe me përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare të bllokuara, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi sot njëzëri një zgjatje prej 30 ditësh të një misioni vëzhgimi.

Vota u jep mundësi 300 vëzhguesve të paarmatosur të fillojnë tranzicionin për mbylljen e misionit. Ata janë dislokuar si pjesë e planit të paqes së të dërguarit të OKB-së Kofi Annan për t’i dhënë fund konfliktit prej 16 muajsh që ka shkaktuar vdekjen e mijëra vetëve, por ky mision është parë si pothuajse joefektiv.

Takimi në New York pasoi veton e djeshme të Rusisë dhe Kinës ndaj një rezolute që do të kishte zgjatur mandatin e misionit përtej afatit të tij që skadon sot në mesnatë. Është e treta rezolutë së cilës i ka vënë vetom Rusia dhe Kina, që kanë votuar gjithashtu edhe kundër sanksioneve për Sirinë, nëse autoritetet nuk ndalin dhunën.

Ndërkohë televizioni shtetëror sirian njoftoi se shefi i sigurisë kombëtare të vendit vdiq nga plagët e marra nga një sulm i kryengritësve në Damask të mërkurën.

Gjeneral Hisham Ikhtiyar është zyrtari i katërt i lartë sirian që vdes si rezultat i sulmit me bombë në Damask, që këtë javë u bë skenë e përleshjeve të ashpra mes trupave qeveritare dhe forcave kryengritëse.
XS
SM
MD
LG