Lidhje

Luftimet mes grupeve kryengritëse në Siri


Luftimet mes grupeve rebele siriane kanë lënë më shumë se një mijë të vdekur vetëm javët e fundit. AnalIstët thonë ne nga kjo luftë po përfiton qeveria në Damask, ndërsa OKB-ja thotë se ekzekutimet masive mund të klasifikohen si krime lufte. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim grupeve opozitare në Siri, në konflikt me njeri-tjetrin.

Kjo është dhuna më e rëndë mes rebelëve që nga fillimi i luftës civile në Siri gati tre vjet më parë. Luftëtarët e opozitës kanë vënë në shënjestër grupin e lidhur me Al-Kaedën, Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë ((ISIS)), i cili ka terrorizuar civilët në Siri.

David Pollock është analist në Institutin Uashington.

"Ky grup ka torturuar, ekzekutuar, rrahur dhe i ka detyruar njerëzit të pranojnë pikëpamjet e tyre, dhe Islamin ekstrem."

Dhe tani ka njoftime edhe për masakra nga grupet opozitare. Zyrtarët e OKB-së për të drejtat e njeriut thonë se ekzekutimet masive mund të klasifikohen si krime lufte.

William McCants i Institutit Brookings pret intensifikimin e dhunës.

"Mendoj se ne do të shohim më shumë krime të këtij lloji sepse ISIS nuk ka ndërgjegje kur është fjala për luftën kundër armiqve të tij, regjimit të Assadit apo luftëtarëve të tjerë myslimanë."

Lufta siriane tani ka filluar të përhapet jashtë kufijve të vendit. Në një ringjallje dramatike të kryengritjes së sektit suni, luftëtarët e grupit ISIS kanë marrë kontrollin e pjesëve kryesore të provincës Anbar të Irakut.

Rebelët e lidhur me Al - Kaidën po përpiqen ta kthejnë rajonin në një fushëbetejë të madhe.

"Edhe ne jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e ekstremizmit. Bota nuk ka nevojë të kujtohet se Siria është bërë tërheqëse për xhihadistët dhe ekstremistët,” thotë Sekretari i Shtetit John Kerry.

Betejat mes rebelëve duket se po forcojnë qeverinë siriane.

Forcat besnike të presidentit sirian Bashar al-Asad janë duke fituar terren në kaosin e krijuar nga luftimet mes grupeve opozitare.

"Sigurisht që ata po i shfrytëzojnë këto luftime. Forcat qeveritare siriane kanë shënuar fitore ditët e fundit në provincën e Alepos ku luftimet mes rebelëve kanë qënë më intensive."

David Pollock thotë se ka prova të bashkëpunimit ushtarak mes qeverisë siriane dhe disa rebelëve të grupit ISIS.

"Regjimi sirian nuk është vetëm duke e shfrytëzuar këtë, por ai është në fakt një nga palët përgjegjëse për orkestrimin e luftimeve në përpjekje për të diskredituar dhe përçarë opozitën."

Vendet perëndimore shpresojnë se bisedimet e paqes të planifikuara për në 22 janar do të hapin rrugë të reja për dërgimin e ndihmave humanitare dhe do të pakësojnë dhunën.

Qeveria e Sirisë ka propozuar vendosjne e një armëpushimi në Alepo. Analistët e vënë në dyshim realizimin e këtij propozimi.

"Edhe në qoftë se koalicioni i opozitës siriane është në gjendje të arrijë një farë marrëveshje me qeverinë e Assadit, fakti që grupi më i madh i luftëtarëve, Fronti Islamik, i ka denoncuar negociatat, e bën të pavlefshme arritjen e një marrëveshjeje mes opozitës dhe qeverisë së Assadit."

Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, rebelët janë zotuar se do të vazhdojnë luftën. Pas disa javë luftimesh mes grupeve kryengritëse, duket se pozita e qeverisë është duke u forcuar.
XS
SM
MD
LG