Lidhje

Siri, 62 të vrarë nga luftimet mes fraksioneve kryengritëse


Organizata joqeveritare Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se luftime të ashpra mes fraksioneve rivale kryengritëse në lindje të Sirisë kanë lënë të vrarë mbi 60 luftëtarë dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra të tjerë të largohen nga banesat e tyre gjatë ditëve të fundit.

Organizata thotë se kryengritësit e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit, një grup i shkëputur nga al-Qaida, si dhe luftëtarë të Frontit Nusra kanë zhvilluar luftime për kontroll territori të marrë nga forcat qeveritare siriane.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se luftimet gjatë katër ditëve të fundit kanë lënë të vrarë 62 luftëtarë dhe kanë zhvendosur civilë nga qytetet Abreeha dhe al-Busarayah në provincën e pasur me naftë Deir al-Zor.

Dy grupimet kryengritëse kanë zhvilluar përleshje edhe më parë për pozita strategjike në provincat shkretinore në kufi me Irakun.

Ndërkaq në Homs vazhdojnë bisedimet për të zbatuar një marrëveshje që do të lejonte kryengritësit dhe civilët të largohen nga pjesa e vjetër e qytetit, e rrethuar nga forcat qeveritare. Të premten kryengritësit ranë dakord të dorëzojnë zonën në shkëmbim për kalim të sigurtë në zona të tjera të kontrolluara nga opozita në veri të provincës Homs.

Të paktën 150 mijë vetë kanë gjetur vdekjen gjatë konfliktit sirian që filloi në mars 2011, pas shtypjes së dhunshme të protestave paqësore kundër Presidentit Bashar al-Asad.
XS
SM
MD
LG