Lidhje

Luftimet vonojnë ndihmat në Siri


Rigjallërimi i luftimeve ka penguar përpjekjet e ndihmave të Kombeve të Bashkuara në qytetin e Homsit, një ditë pasi hyri në fuqi ndalimi tre-ditor i luftimeve. Megjithatë, punonjësit e ndihmave pritet të kthehen sot në qytetin e rrethuar, për t’i vazhduar përpjekjet e tyre. Shefi i operacioneve i Kryqit të Kuq i tha agjencisë Associated Press se agjencia e tij do të përpiqet të evakuojë më tepër civilë.

Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane thotë se shoferi i një prej kamionëve të saj të ndihmave ishte plagosur, pasi persona të paidentifikuar e qëlluan automjetin me armë zjarri.
Organizata e ndihmave thotë se pranë autokolonës ranë predha mortajash. Sulme me artileri u njoftuan edhe në zona të tjera të Homsit.

Qeveria siriane dhe opozita kanë fajësuar njëra-tjetrën për trazirat, një shkelje e pauzës që synonte të lejonte dërgimin e ndihmave tek rajonet e qytetit nën kontrollin e rebelëve, si dhe që të largoheshin civilët.

Koordinatorja e ndihmave të emergjencës e OKB-së Valerie Amos thotë se ajo ndjehet tepër e zhgënjyer që marrëveshja për ndalimin e luftimeve u thye dhe që në shënjestër u vunë qëllimisht punonjësit e ndihmave. Ajo tha se ky fakt shërben si një kujtesë për rreziqet me të cilat përballen çdo ditë civilët dhe punonjësit e ndihmave në Siri.
XS
SM
MD
LG