Lidhje

Rhodes: Vendimi i Presidentit për Sirinë, i pandryshueshëm


Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se vendimi i Presidentit Barak Obama për të armatosur kryengritësit sirianë “është finalizuar” dhe nuk do të ndryshojë nga bisedimet e javës së ardhshme me krerët e Grupit të Tetëshes më të industrializuar.

Në kushtet e presionit dhe kritikave ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara po shtojnë ndihmat ushtarake për kryengritësit sirianë pasi u konfirmua se qeveria e Presidentit Asad ka përdorur armët kimike gjatë konfliktit.

Zëvendës këshilltari i Presidentit Obama për sigurinë kombëtare Ben Rhodes tha dje në komentet për shtyp se Shtetet e Bashkuara “kanë prova të një game të gjerë” që lidhen me një numër incidentesh të përdorimit të armëve kimike, përfshirë gazin nervor.

Por Ministria e Jashtme e Sirisë tha dje se akuzat amerikane, të bazuara në analizën e shërbimeve të zbulimit, mbështeten në informata të fabrikuara, dhe i hodhi poshtë deklaratat amerikane si “gënjeshtra”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon shprehu rezerva. Ai tha dje se nuk ka garanci se janë përdorur armët kimike pa zhvilluar hetime në terren. Ai shtoi se shtimi i furnizimeve me armë për dy palët në konflikt nuk do të ishte i dobishëm, pasi zgjidhja ushtarake nuk i shërben zgjidhjes së situatës.
XS
SM
MD
LG