Lidhje

Situata politike në Siri para takimit të ministrave të jashtëm


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry takohet nesër në Paris me ministrat e jashtëm të vendeve që mbështesin kundërshtarët e Presidentit sirian Bashar al-Asad. Ata po përpiqen të zbutin mospajtimet serioze brenda grupeve të opozitës përpara bisedimeve të paqes të planifikuara për këtë muaj në Gjenevë. Por ndarjet në Siri po ndërlikojnë përpjekjet për formimin e një qeverie kalimtare për t'i dhënë fund luftës.

Ndarjet e brendshme në Siri janë intensifikuar së tepërmi. Besnikët e Presidentit Asad kontrollojnë kryeqytetin Damask, zonat e etnisë alaui përgjatë Mesdheut, si dhe pjesë të Sirisë qendrore ku luftojnë kundër rebelëve të atjeshëm, kryesisht suni, - duke vazhduar të përballen me luftëtarët kurdë në veri dhe milicitë druze në jug. Nëse nga bisedimet e Gjenevës këtë muaj nuk do të dalë një qeveri e përkohshme, Siria mund të bëhet një komb me ndarje edhe më të mëdha e të qëndrueshme, thotë analisti i Institutit Cato Doug Bandow.

"Mendoj se alternativa më e mirë është që regjimi të kontrollojë zonën bregdetare, kryesisht alaui. Të ketë gjithashtu një zonë të rebelëve dhe një zonë kurde. Ky mund të ishte skenari më i mirë i mundshëm. Përndryshe mendoj se do të luftohej deri në fund."

Disa nga luftimet më të ashpra ndodhin brenda vetë forcave të opozitës, kryesisht mes grupit kryesor rebel Ushtria e Lirë Siriane dhe milicive më ekstremiste, disa prej të cilëve janë të lidhura me al-Kaidën. Por ka edhe përçarje brenda vetë grupeve më ekstremiste. Siria nuk mund të mbahet e bashkuar pa një autoritet qendror të fortë, thotë ish-ambasadori amerikan Adam Ereli.

"Mendoj se në Siri ndarjet etnike nuk janë shumë sipas vijave gjeografike, me përjashtim të zonave të etnive alaui dhe druze. Por nëse nuk ka një qeveri qendrore përgjegjëse, ato zona do të shkëputen."

Një Siri e ballkanizuar mund të jetë diçka më pak shqetësuese se prirjet aktuale drejt pasojave më të gjera, thotë analisti i Institutit Amerikan të Paqes Steve Heydemann, i cili përmend se ndarja e ish-Jugosllavisë u bë kryesisht brenda kufijve të saj ndërkombëtarë.

"Mendoj se pritshmëria ishte se ne mund të shihnim një rezultat të ngjashëm në Siri, pra që të përjetonim një proces ndarjeje apo ballkanizimi, por që nuk do të shkaktonte shembjen e një sërë shtetesh në rajon. Tani, mendoj se nuk mund të jemi më aq të sigurt për këtë."

Vetë sirianët e shohin ndarjen e vendit të tyre si fyerje të krenarisë kombëtare, thotë profesori i Universitetit amerikan Akbar Ahmed.

"Ata nuk duan që vendi i tyre të ndahet, sepse ekziston ende dëshira, nacionalizmi, ideja romantike e ruajtjes së territorit të gjerë pa u ndarë në pjesë të vogla, përveçse nëse gjërat shkojnë kaq keq saqë nuk mund të jetë më e mundur."

Përçarjet brenda grupeve politike të opozitës dobësojnë perspektivat për bisedimet e paqes, ndërkohë që ministrat e jashtëm punojnë për krijimin e një delegacioni me përfaqësim më të gjerë për takimet me zyrtarët e Presidentit Assad.
XS
SM
MD
LG