Lidhje

Në pikëpyetje bisedimet për paqe në Siri


Bisedimet e muajit të ardhshëm për t’i dhënë fund konfliktit në Siri duket se janë në pikëpyetje. Opozita siriane, në një takim në Stamboll, mbetet e përçarë lidhur me zgjedhjen e një udhëheqjeje të re dhe nuk është ende e qartë nëse do të marrë pjesë në bisedimet që pritet të zhvillohen në Gjenevë.

Pas tri ditë bisedimesh në Stamboll, opozita siriane mbetet e bllokuar lidhur me zgjedhjen e një presidenti të ri dhe radhëve të tjera të udhëheqjes. Përkrahësit perëndimorë të opozitës kërkojnë një përfaqësim më të gjerë dhe më të larmishëm në udhëheqje. Por përpjekjet për të dobësuar fuqinë e Vëllazërisë Myslimane në Koalicionin Kombëtar Sirian deri tani kanë dështuar. Kreu në largim i koalicionit, Moaz al-Khatib bëri thirrje për unitet:

“Ne themi se në fund të fundit duhet të bashkëpunojmë me njerëzit, me sirianët nën kushtet e vështira për të shpëtuar vendin”.

Zëdhënësi i koalicionit të opozitës Khaled Saleh tha se është shënuar përparim. Por ngërçi aktual lidhur me udhëheqjen dhe përfaqësuesin që mund të flasë në emër të opozitës muajin e ardhshëm, i ka vënë në pikëpyetje bisedimet e Gjenevës.

Rusia njoftoi të premten se në parim, qeveria e Damaskut ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedime.

Por opozita siriane ende nuk ka udhëheqje. Një diplomat evropian, i cili ishte i pranishëm në takimin e Stambollit, tha se do të ishte e paimagjinueshme nëse opozita nuk merr pjesë, por pohoi se më parë duhet zgjedhur udhëheqja e opozitës.

Disa anëtarë të opozitës kanë akuzuar vendet e Perëndimit se kanë ndërhyrë në procesin e zgjedhjes së udhëheqjes. Bisedimet e Stambollit pritet të vazhdojnë me përpjekjet për arritjen e një kompromisi dhe për të vendosur nëse mund të mbahen bisedimet e muajit të ardhshëm.

Ndërkaq, në Siri luftimet vazhdojnë. Një ndër anëtarët e lartë të opozitës, George Sabra, paralajmëroi se luftimet mund të acarohen më tej:

Ai thotë se mijëra iranianë dhe luftëtarë të mbështetur nga Irani po futen në Siri nga Libani për të luftuar për regjimin e al-Asadit.

Zoti Sabra bëri thirrje për bashkim mes forcave kryengritëse për të ndihmuar sirianët e rrethuar nga forcat qeveritare në qytetin Qusair pranë kufirit me Libanin. Aktivistët sirianë thonë se dita e djeshme u shoqërua me disa nga luftimet më të ashpra, ndërkohë që regjimi i Asadit përpiqet të marrë nën kontroll qytetin e rëndësishëm të Qusairit.
XS
SM
MD
LG