Lidhje

OKB miraton një rezolutë mbi ndihmat për Sirinë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së i vuri mënjanë përçarjet mbi Sirinë dhe miratoi njëzëri një rezolutë që synon dërgimin e ndihmave të nevojshme për më shumë se dy milionë sirianë përmes rrugëve më të drejtpërdrejta. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Margaret Besheer sjell hollësitë.

Pas disa javë negociatash intensive, Rusia dhe Kina u bashkuan me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të mbështetur këtë masë. Rezoluta 2165 është një vazhdim i një rezolute të miratuar në muajin shkurt e cila gjithashtu bën thirrje për lejimin e menjëhershëm të dërgimit të ndihmave, por ajo u injoruar në masë të madhe nga palët ndërluftuese, duke shtuar numrin e sirianëve në nevojë.

Për dallim nga rezoluta e mëparshme, rezoluta e re autorizon agjencitë humanitare të OKB-së dhe partnerët e tyre të përdorin katër vendkalime të tjera kufitare në Siri, madje edhe pa pëlqimin e Damaskut. Dy janë në kufirin turko-sirian, një është në kufirin e Irakut dhe vendkalimi i tretë është në kufirin me Jordaninë.

Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Powers tha se kjo do të shtojë furnizimin me ndihma të nevojshme në ushqime dhe barna që do t’u shpëtojnë jetën shumë sirianëve.

"Nëse zbatohet plotësisht, kjo rezolutë do të mundësojë dërgimin e ndihmave kritike për dy milionë sirianë të cilëve u është mohuar ndihma adekuate gjatë vitit të kaluar. Si rezultat i mungesës së ndihmës këta sirianë kanë vuajtur shumë. Kjo rezolutë gjithashtu autorizon OKB-në të kalojë linjat e konfliktit mes regjimit dhe forcave të opozitës për të ofruar ndihmë".

Por vendkalimet e reja kufitare do të mund të jenë problematike pasi prania e grupeve militante islamike në këto vende është kërcënuese. Vendkalimi kufitar mes Jordanisë dhe Sirisë u zëvendësua në draftin përfundimtar të rezolutës për shkak të shqetësimeve të ngritura mbi sigurinë.

Rezoluta gjithashtu bën thirrje për krijimin e një mekanizmi monitorimi të drejtuar nga OKB-ja brenda gjashtë muajve, i cili do të inspektojë ngarkesat e ndihmave humanitare që hyjnë në Siri për të konfirmuar se vetëm ndihmat humanitare do të hyjnë në vend.

Ambasadorja e Luksemburgut, Sylvie Lucas, e cila së bashku me homologët e saj nga Jordania dhe Australia që ishin autorë rezolutës, tha se dispozitat janë të qarta dhe me fuqi ligjore.

Përfaqësuesi Special i Koalicionit Sirian në Kombet e Bashkuara, Najib Ghadbian tha se grupi i tij dhe Ushtria e Lirë Siriane janë të gatshëm "të lehtësojnë, qasjen e drejtpërdrejtë dhe të sigurt" në zonat nën kontrollin e tyre.

Ambasadori i regjimit sirian në OKB, Bashar Ja'afari, kërkoi që ndihma humanitare të mos politizohet dhe tha se shpresonte që vendkalimet kufitare nuk do të shfrytëzoheshin për hyrjen e armëve dhe terroristëve në vend.

XS
SM
MD
LG