Shtetet e Bashkuara kanë filluar stërvitjen e kryengritësve të moderuar sirianë në Lindjen e Mesme në një përpjekje për të forcuar forcat që po luftojnë ekstremistët e Shtetit Islamik.
Për disa kryengritës sirianë, pritjes disa vjeçare për trajnim nga Shtetet e Bashkuara i ka ardhur fundi. Pentagoni thotë se rreth 90 rebelë sirianë me histori të verifikuar kanë filluar të përmirësojnë aftësitë e tyre luftarake nën kontrollin e trupave amerikane, ndërkohë që një grup i dytë luftëtarësh të forcave të medoruara pritet të fillojë stërvitjet brenda disa javësh.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter u tha gazetarëve se programi qëllimisht ka filluar me një grup më të vogël.
"Duhet të provohet për të parë sa i suksesshëm është. Pra, ne jemi duke filluar me njerëzit që kemi, të cilët i kemi verifikuar me shumë kujdes. Ne jemi duke mësuar se cili lloj i trajnimit është më i mirë, dhe cili është dislokimi më i mirë fillestar. Ne presim që programi të jetë i suksesshme dhe të zgjerohet".
Me stërvitjen e kryengritësve për të luftuar militantët e Shtetit Islamik, udhëheqësit ushtarakë thonë se Shtetet e Bashkuara kanë marrë përsipër një pjesë të përgjegjësisë për mbrojtjen e tyre pasi ata të ri-hyjnë në territorin sirian.
Por sekretari Carter thotë se administrata ende nuk ka vendosur saktësisht se si dhe kur Shtetet e Bashkuara do të mbështesë kryengritësit, nëse ata sulmohen nga forcat e presidentit sirian Bashar al-Asad.
"Ne kemi disa detyrime ndaj këtyre njerëzve. Ata po luftojnë për vendin e tyre, por nga ana tjetër, ne e pranojmë se kemi një detyrim për sigurinë dhe efektshmërinë e tyre".
Partnerët rajonalë që po ndihmojnë me stërvitjen janë të interesuar në përmbysjen e qeverisë së Asadit ndërkohë që ajo vazhdon të humbasë epërsinë ndaj rebelëve.
"Unë besoj se ka një prirje më pak të favorshme për regjimin dhe nëse unë do të isha në vendin e Bashar al-Asad-it, do të shqyrtoja mundësinë për hyrje në bisedime".
Megjithatë, Gjenerali Martin Dempsey shtoi se misioni është i përqendruar në mposhtjen e ekstremistëve të Shtetit Islamik, dhe se çdo ndryshim drastik i pushtetit në Siri do të mund ta përkeqësonte gjendjen humanitare atje.