Lidhje

Raporti i OSBE-së: Politika shqiptare të dialogojë për të dalë nga ngërçi


Raporti i OSBE-së: Politika shqiptare të dialogojë për të dalë nga ngërçi
Raporti i OSBE-së: Politika shqiptare të dialogojë për të dalë nga ngërçi

Në Shqipëri ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth deklaron se nëse udhëheqësit politik shqiptarë nuk japin sinjale të shpejta të dialogut dhe kompromisit atëherë rrezikohet që ngërçi politik të zgjasë deri në zgjedhjet e 2013. Duke paraqitur në Vjenë, përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së raportin për Shqpërinë, ambasadori Wollfarth nënvizon se viti i ardhshëm do të dëshmojë qartë se ku udhëheqësit shqiptarë duan ta çojnë vendin e tyre, drejt progresit dhe reformave, apo ta zhysin në një spirale amullie dhe mllefi politik.

Në një raport prej 10 faqesh ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth i bën një radiografi zhvillimeve kryesore të vendit në 12 muajt e fundit. Natyrisht një vëmendje më e madhe i është kushtuar zhvillimeve politike duke paralajmëruar edhe rreziqet në rast se situata nuk ndryshon.

Duke folur për ngërçin e gjatë politik, pengesat që solli në funksionimin e parlamentit dhe protestat e organizuara nga opozita “përfshirë e edhe ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit”, ambasadori Wollfarth shprehet se “tanimë të dyja palët duhet të gjejnë mënyrat për t’i përshtatur strategjitë dhe politikat e tyre me qëllim përballimin e sfidave që po has vendi. Vetëm kur të dyja palët të kuptojnë plotësisht se çdo të thotë në të vërtetë të jesh në qeveri dhe çdo të thotë të jesh në opozitë në një sistem demokratike, Shqipëria do të mund të bëjë një përparim domethënës në axhendën e reformave”, shkruan ambasadori i OSBE-së.

Ai del në përfundimin se “duke patur parasysh zgjedhjen e presidentit vitin e ardhshëm dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik para zgjedhjeve të 2013, dritarja e mundësive për reforma është e vogël. Nëse udhëheqësit politik - sipas tij - nuk shfrytëzojnë plotësisht atë ç'ka mbetet deri në 2012 ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme. Për ta shmangur një skenar të tillë – nënvizon ai – liderët politik në Tiranë duhet të përmbushin angazhimet e marra. Mesazhi është i thjeshtë – shkruan ai në raport – Majft kohë është humbur deri më tani.

Nëse vërtetë doni t’i tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtar si i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim cuarjen përpara të axhendës së reformave. Viti që vjen, vazhdon ambasadori, do të ndajë se ku duan ta cojnë Shqipërinë udhëheqësit e saj politikë: në drejtim të reformave, progresit dhe begatisë kombëtare apo ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Cështjja është shumë e thjeshtë: Zgjidh e merr”, thekson ambasadori Wollfarth.

Në fjalën e tij përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë, nuk merret me vlerësime mbi zgjedhjet e 8 majit duke qenë se për këtë ka një raport të vëzhguesve të ODIHR-it, shpjegon ai, duke theksuar se “rekomandimet e vëzhguesve duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore. Që kjo të ndodhë, shton ai, duhet të dëshmohet një dialog politik ndërpartiak shumë më i madh”. Reforma sipas tij duhet të jetë “teknikisht e shëndoshë, e konsultuar gjerësisht dhe e panxituar dhe sa më konsensuale”. Sipas ambasadorit, duke patur parasysh dhe eksperiencat e shkuara me zvarritje të shumta është e nevojshme që procesi i reformës të nis menjëherë. “Duke e marrë të mirëqenë se të dyja palët duan vërtetë që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standartet ndërkombëtare, ata ose duhet ta fillojnë reformën që tani, ose do përballen me rrezikun e një dështimi tjetër”.

Në raport merren në analizë dhe shumë fusha të tjera, që nga parlamenti ku theksohet nevojë për një rregullore sa më konsensuale, që tek çështjet që lidhen me luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, pronave, lirisë së mediave apo edhe procesin gjyqësor për shpërthimin e Gërdecit për të cilin thuhet se “nuk është zhvilluar në përputhje me parimet e gjykimit të drejtë”.

XS
SM
MD
LG