Lidhje

Skëndaj: Ndërtimi i institucioneve pas konflikteve


Konfliktet e dhunshme në ditët tona paraqesin një dilemë morale dhe praktike për komunitetin ndërkombëtar për të ndalur gjakderdhjen dhe për të ngritur shoqëri demokratike dhe të qëndrueshme. Por cilat janë praktikat më të mira të ndërtimit të institucioneve? Asistent-pedagogu i Universitetit të Majamit, Elton Skëndaj ka shkruar një libër mbi praktikat e ndjekura në Kosovë dhe mësimet e dala prej tyre. Ai e prezantoi librin në një diskutim në Qendrën Wilson në Uashington.

Skendaj: Ndertimi i institucioneve demokratike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Në analizën e studiuesit Elton Skëndaj, Kosova ofron një kontrast të praktikave më të mira dhe më problematike në ndërtimin e institucioneve. Ideja është që të identifikohen praktikat më pozitive në mënyrën se si komuniteti ndërkombëtar angazhohet për ndërtimin e institucioneve në një shoqëri të dalë nga lufta:

“Libri im shikon Kosovën si një rast, por nga ana tjetër mundëson një vëzhgim më të mirë të zhvillimeve ndërkombëtare. Aty unë them që është shumë e rëndësishme që institucionet e reja shtetërore që krijohen të mos politizohen. Në moment që ke politizim të skajshëm të administratës shtetërore, kjo administratë bëhet më e korruptuar dhe nuk e trajton individin si duhet, nuk i respekton të drejtat e tyre”.

Libri “Creating Kosovo: International Oversight and the Making of Ethical Institutions” – “Krijimi i Kosovës: Mbikqyrja Ndërkombëtare dhe Ngritja e Institucioneve Etike”, bazohet në vëzhgime empirike dhe intervista që analizojnë punën e institucioneve të Kosovës pas përfundimit të luftës së vitit 1999. Autori arrin në përfundimin se në rastet kur ndërkombëtarët morën kontrollin e ndërtimit të institucioneve, rezultati ishte krijimi i një strukture më efikase dhe të pavarur nga presionet politike:

“Në Kosovë unë vë re që policia dhe doganat, që normalisht janë institucione shumë të korruptuara, funksionojnë shumë më mirë sa se administrata qendrore dhe gjykatat”.

Autori argumenton se UNMIK-u ishte i angazhuar intensivisht në zgjedhjen dhe trajnimin e kandidatëve që do të shërbenin në forcat e rendit dhe doganat e Kosovës, duke ndihmuar në mbrojtjen e këtyre strukturave nga presionet politike.

Është një praktikë që ka dhënë rezultate edhe në vende të tjera përveç Kosovës, sipas autorit:

“Ne mund ta shikojmë këtë për shembull në Bosnje, në rajonin Brçko ku u parandalua politizimi i institucioneve, që gjërat funksionojnë më mirë”.

Në dallim nga këto institucione, strukturat e tjera ku organizmat ndërkombëtarë nuk ushtruan një kontroll më të drejtpërdrejt ndjenë presionin e interesave klienteliste dhe si rezultat shikohen sot nga popullata si të korruptuara dhe jofunksionale. Ai sjell si shembull problemet me sistemin e gjyqësorit:

“Në atë kohë UNMIK-u nuk ka dashur të krijonte kapacitete. Gjykata e tyre thjesht është përqëndruar tek rastet e krimeve të luftës, që është një përqindje shumë e vogël. Por që qytetari i Kosovës të ketë drejtësi, duhet të presë për vite me radhë, sepse gjykata nuk i merr parasysh rastet”.

Një debat i ndezur shoqëron angazhimin e organizmave ndërkombëtare në rindërtimin e shoqërive të dala nga lufta. Teori kontradiktore vihen në provë në këto vende duke e ndezur më tej këtë debat. Ajo që nevojitet, thotë zoti Skendaj, është një model veprimi, që përcakton funksionet e aktorëve në terren dhe parametrat kohorë të angazhimit, në mënyrë që rezultantja të jetë e garantuar – një zgjidhje që do t’u jepte angazhimeve ndërkombëtare në shoqëritë e dala nga lufta një siguri matematikore.

XS
SM
MD
LG