Lidhje

Fuqitë perëndimore dënojnë helmimin e Skripalit


Udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara dënuan me një deklaratë të përbashkët helmimin e një ish-spiuni rus në Britani, për të cilin po fajësohet Moska, duke e cilësuar si “përdorimin për herë të parë si mjet sulmi të agjentit nervor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Në deklaratën e kryeministres Theresa May, Presidentit Emmanual Macron, Kancelares Angela Merkel dhe Presidentit Donald Trump, thuhet se nuk ka një shpjegim tjetër të arsyeshëm përveçse përfshirjes së Rusisë në sulm. “Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të përgjigjet për të gjitha pyetjet që kanë lidhje me sulmin”, thanë udhëheqësit.

Më pas në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se “sigurisht që duket se rusët" ishin përgjegjës.

Rusia ka mohuar çdo përfshirje.

Ish-agjenti Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia, u gjendën pa ndjenja në një stol në një park në qytetin Salisbury dhe u dërguan urgjentisht në spital, ku ata vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë. Disa persona të tjerë, përfshirë një oficer policie, u sëmurën.

Kryeministrja britanike, May njoftoi për disa masa si kundërpërgjigje kundër Rusisë për helmimin, përfshirë dëbimin e 23 diplomatëve rusë. Do të jetë dëbimi më masiv i tyre, që nga viti 1971, kulmi i Luftës së Ftohtë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se Moska do të dëbojë diplomatë britanikë “së shpejti” si kundërpërgjigje. Në komente të enjten në Moskë, zoti Lavrov i quajti veprimet e zonjës May “të vrazhda” dhe tha se kishin si qëllim të largonin vëmendjen nga negociatat e vështira të Britanisë, për daljen nga Bashkimi Evropian.

Në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri thirrje për një përgjigje “të përshtatshme” britanike ndaj sulmit me agjent nervor, duke thënë se duhet të ketë “pasoja” për incidentin.

Shtëpia e Bardhë nxorri një deklaratë sot, ku thuhej se Shtetet e Bashkuara “qëndrojnë në solidaritet me aleaten e tyre më të afërt, Britaninë” dhe janë dakord me përfundimin se “Rusia është përgjegjëse për sulmin e papërgjegjshëm me agjent nervor ndaj një qytetari britanik dhe vajzës së tij dhe mbështesin vendimin për dëbimin e diplomatëve rusë, si një përgjigje të duhur”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG