Lidhje

Flet Julia Skripali: Po e marr shpejt veten


Vajza e ish-agjentit rus e helmuar gjatë një sulmi në Britani me agjent nervor, thotë se po e merr veten shpejt.

"U zgjova më shumë se një javë më parë dhe jam e lumtur të them se fuqitë e mia po rriten çdo ditë", tha Julia Skripali në një deklaratë që u publikua të enjten nga policia britanike.

Babai i saj, Sergei Skripali 66 vjeç, mbetet ende në gjendje kritike në një spital britanik, si pasojë e helmimit në 4 mars, ngjarje për të cilën Britania fajëson Rusinë. Sulmi ndaj tyre nxiti kundërpërgjigje të gjera diplomatike, mes Perëndimit dhe Moskës, që të kujtojnë qëndrimet gjatë Luftës së Ftohtë të viteve 1950.

Në një shfaqje solidariteti ndaj sulmit, Britania, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s dëbuan më shumë se 150 diplomatë rusë. Rusia e ka mohuar me forcë përfshirjen dhe dëboi një numër të barabartë të dërguarish perëndimorë.

Të enjten, tre autobusë me diplomatë amerikanë u larguan nga ambasada e Moskës.

Në deklaratën e saj, 33-vjeçarja Julia Skripali tha se ishte "mirënjohëse për interesimin ndaj saj dhe për mesazhet e shumta që ka marrë për shërim të shpejtë”.

Ajo falenderoi banorët në Salisbury, ku ndodhi sulmi, si dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor për ndihmën e ofruar.

Nëpërmjet deklaratës, Julia Skripali kërkonte gjithashtu "të respektohej privatësia e saj dhe e familjes, gjatë periudhës që i duhej për t’u shëruar, për shkak të kompleksitetit të çështjes".

Në Rusi, televizioni shtetëror publikoi të enjten një regjistrim, që siç u tha ishte një telefonatë mes Yulia Skripal-it me një kushërit të saj në Rusi. Sipas regjistrimit, Julia pohonte se ajo dhe babai i saj po e merrnin vetën dhe se babai nuk kishte marrë dëmtime të pariparueshme. Por transmetuesi televiziv tha se nuk mund ta verifikonte vërtetësinë e këtij regjistrimi.

Zyrtarët rusë vazhdojnë të refuzojnë pretendimet e autoriteteve britanike, se pas këtij sulmi qëndron Moska. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Britania po përpiqet të "demonizojë" Rusinë.

"I ashtuquajturi rasti Skripali është përdorur si një pretekst i rremë, i orkestruar për dëbimet masive të pabazuara të diplomatëve rusë jo vetëm nga SHBA dhe Britania, por edhe nga një numër vendesh të tjera, të cilat thjeshtë i janë bindur vendimit", tha zoti Lavrov në Moskë. "Ne kurrë nuk kemi parë një tallje të tillë të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe të etikës diplomatike", tha ai.

XS
SM
MD
LG