Lidhje

Rrjet i sofistikuar trafikantësh për emigrantët


Një rrjet i sofistikuar kontrabandistësh që po nxjerr fitime nga aktiviteti kriminal pa rrezik është përgjegjës për sjelljen e mijëra imigrantëve dhe refugjatëve në Evropë, tha një prokuror siçilian. Prokurori Ferrara tha se sjellja e njerëzve ilegalisht në Evropë, është një operacion shumë i më i madh se sa mendohej më parë.

Prokurori i Palermos Calogero Ferrara tha se futja e njerëzve kontrabandë në Evropë është bërë aktiviteti kriminal më fitimprurës që ka parë gjatë karrierës së tij.

Qeveritë dhe zyrtarët e rendit në mbarë Evropën po përpiqen të ndalin kontrabandistët. Policia italiane ka arrestuar më shumë se 24 persona që prokurorët në Palermo besojnë se ndihmojnë në organizimin e mijëra udhëtimeve me anije nga Libia dhe Siria.

Ferrara përmend emrat Ermias Ghermay, nga Etiopia, dhe Medhanie Yehdego Mered, nga Eritrea – si krerët e rrjetit kriminal përgjegjës për sjelljen e mijëra refugjatëve në Itali. Ferrara thotë se ata kontrollojnë një operacion që është shumë më i madh, më kompleks dhe më i strukturuar nga sa mendohej më parë. Sipas italianëve, të dyshuarit janë ende të lirë në Libi.

Ferrara thotë se ata janë të shkathët dhe blejnë imigrantë të rrëmbyer nga kriminelët e tjerë në Afrikë. Ata janë të pasur gjithashtu. Sipas llogaritjeve të tij, secili udhëtim me 600 njerëz në anije nxjerr fitime nga 800 mijë deri në një milion dollarë. Një tjetër trafikant, aktivitetet e të cilave Ferrara i ka hetuar, ka nxjerrë gati 20 milionë dollarë në një dekadë.

"Sot, ky është aktiviteti më fitimprurës kriminal që kam parë ndonjëherë. Nuk ka asnjë rrezik për biznesin, sepse në qoftë se merresh me trafikun e drogës dhe e humbet drogën, dikush duhet të paguajë për të. Në këtë rast, nuk ka rrezik, pasi në qoftë se mbledh paratë paraprakisht për një anije me 500 njerëz, merr 800 mijë dollarë, dhe nëse ata mbyten nuk humbet para" thotë Ferrara.

Kontrabandistët kërkojnë gjithashtu pagesë për çdo segment të rrugës për të maksimizuar fitimin, thotë Ferrara.

Deri tani, rrjetet i kanë shmangur forcat e rendit pasi janë bazuar në celula anonime të përhapura në shumë vende. As refugjatët që kërkojnë shërbimet e kontrabandistëve dhe as familjet që paguajnë faturën nuk janë të interesuar të tërheqin vëmendjen se si operojnë rrjetet.

"Po flasim për njerëz që asnjëherë nuk kanë dalë nga fshatrat e tyre të vegjël në mes të Afrikës. Ata mbërrijnë këtu dhe janë të çoroditur. Ata nuk komunikojnë pasi nuk flasin gjuhën, as anglisht as italisht" tha Ferrara.

XS
SM
MD
LG