Lidhje

SHBA Rusisë: Snowden nuk do dënohet, apo vritet


Shtetet e Bashkuara i thanë Rusisë se nuk do të përpiqen ta dënojnë me vdekje ose ta torturojnë ish-kontraktorin e zbulimit Edward Snowden-in, nëse Moska e dërgon atë në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza për spiunazh.

Prokurori i përgjithshëm Eric Holder i tha homologut të tij rus në një letër kësaj jave se deklaratat e ish-kontraktorit që ai mund të torturohet ose të dënohet me vdekje janë tërësisht pa bazë. Zoti Holder shtoi se akuzat e spiunazhit me të cilat përballet Snowden-i nuk e bëjnë të mundur dënimin me vdekje, dhe se tortura është e paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Në letrën e bërë publike sot, zoti Holder tha se 30 vjeçari Snowden do të sillet menjëherë në një gjykatë civile nësa ai do të ekstradohet në Amerikë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar kërkesat amerikane për kthimin e Snowden-it në Shtetet e Bashkuara dhe zëdhënësi i tij e përsëriti pozitën e tij sot. Zëdhënësi i presidentit rus shtoi se zyrtarët e agjencisë FSB të Moskës po diskutojnë me FBI-në por nuk dhanë hollësi të tjera përveçse Snowden nuk do të dorëzohet tek autoritetet amerikane.

Ish kontraktori amerikan i zbulimit është bllokuar për gati një muaj në një zonë tranziti në një aeroport të Moskës, ndërsa kërkon një vend që do t’i japë azil në mënyrë që të shmangë kthimin në Shtetet e Bashkuara nën akuza spiunazhi. Por plani i tij për largimin e shpejtë u bllokua pasi autoritetet amerikane i anuluan pasaportën.

Snowdeni i ka kërkuar Rusisë azil të përkohshëm por thotë se më vonë ka qëllim të shkojë në Amerikën Latine. Qeveritë majtiste të Venezuelës, Bolivisë dhe Nikaraguas i kanë ofruar atij azil.
XS
SM
MD
LG