Lidhje

Pas stuhisë historike në Uashington


Uashingtoni dhe zonat përreth janë gdhirë të bllokuara nga dëbora masive e mbledhur nga furtuna që filloi ditën e premte. Kjo ishte një stuhi me përmasa historike për kryeqytetin amerikan, që paralizoi transportin publik dhe trafikun në përgjithësi.

Në Uashington ka pak lëvizje, shikon makina të rralla, sepse autoritetet rekomandojnë që të kufizohen lëvizjet. Autoritetet e Uashingtonit kanë mbyllur sistemin e transportit hekurudhor dhe aeroportet. Sot është dita kur fillon pastrimi i borës, për të nxjerrë makinat e bllokuara, para se dëbora të ngrijë. Temperatura janë ende të ulta.

Jo vetëm në Uashington, por në të gjithë bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, miliona njerëz do ta kalojnë ditën duke pastruar borën e mbledhur gjatë një prej stuhive më të mëdha të regjistruara ndonjëherë.

Disa e filluan herët pastrimin sapo filloi rrallimi i borës. Ndërkohë, niveli i borës së mbledhur arriti mbrëmë në mbi 60 cm.

“Pastrimi i borës kërkon shumë energji. Është e rrezikshme të mundohesh ta pastrosh të gjithën pa bërë shpesh pushim”, tha Shirley, një banore e Uashingtonit.

“Kur dolëm sot në mëngjes, nuk hapnim dot as derën. Ishte bllokuar.”

Makinat borë pastruese do të punojnë pa pushim gjatë gjithë ditëve të ardhshme, derisa qyteti të rihapë rrugët, të cilat ishin bërë praktikisht të pakalueshme që ditën e premte.

Në zonat afër Nju Jorkut, njerëzit kanë filluar të qarkullojnë më këmbë pasi u shpall ndalim qarkullimi për mjetet e motorizuara.

Furtuna ka shkaktuar të paktën 17 viktima dhe shumë aksidente në rrugët e ngrira në Karolinën e Veriut, në Kentaki dhe në Tenesi.

Shumë njerëz të bllokuar prej anullimit të fluturimeve shpresojnë të rifillojnë udhëtimin gjatë javës që vjen.

XS
SM
MD
LG