Lidhje

Çfarë ndodh me stadiumet olimpike pas Lojërave?


Për 17 ditë, vëmendja e botës do të përqëndrohet në qytetin rus të Soçit për Olimpiadën Dimërore. Por çfarë ndodh kur Lojërat mbarojnë dhe atletët ikin? Materiali në vazhdim eksploron trashëgiminë olimpike të shpenzimeve të mëdha dhe shkatërrimit prej kohës.

Ky është Stadiumi Olimpik Fisht, një nga shtatë objektet tërësisht të reja për Lojërat Dimërore në Soçi, të Rusisë. Fishekzjarret janë pjesë e provave për ceremoninë e hapjes. Por ajo që shqetëson profesoren e menaxhimit sportiv në Universitetin George Washington Lisa Delpy Neirotti është çfarë do të ndodhë pas ceremonisë së mbylljes.

"Këto janë Lojërat e para Olimpike Dimërore që kanë një park olimpik, ku të shtatë objektet janë ndërtuar posaçërisht për Lojërat Olimpike në një zonë të caktuar. Dhe nuk mendoj se është modeli më i mirë për t’u ndjekur, sepse nuk mund të përdoren shtatë objekte të mëdha sportive brenda një perimetri. Është më mirë të jenë të shpërndara."

Këto Lojëra vlerësohet se do t’i kushtojnë Rusisë 50 miliardë dollarë. Por ndërsa kostoja për vendet organizatore të Olimpiadave rritet me shpejtësi, zonja Delpy Neirotti thotë se një planifikimin i mirë është jetik, sidomos pas përfundimit të lojërave.

"Do të jetë e vështirë të shfrytëzohen gjithë ato objekte pas lojrave."

Ky është Stadiumi Kombëtar i Pekinit dhe Qendra Kombëtare e Lojërave të Ujit gjatë Olimpiadës Verore të vitit 2008. Këto janë Foleja e Zogut, siç njihet stadiumi, dhe Kubi i Ujit tani. Kina e ka patur të vështirë të tërheqë vizitorë tek këto objekte. Por turistët realizojnë ndoshta përdorimin më të mirë të stadiumit prej gjysmë miliardi dollarësh me 91 mijë vende: ata e shfrytëzojnë si sfond për fotot.

Ky është një park olimpik në Athinë, tetë vjet pas Lojërave të Verës 2004: i braktisur, pushtuar nga barërat e këqija dhe i mbyllur për publikun. Edhe Olimpiada e Londrës e vitin 2012, që premtoi të rigjallëronte pjesën lindore të qytetit, ka dhënë rezultate sa pozitive edhe negative.

"Ishte një vend punimi ndërsa po e ndërtonin. Ishte si një park pushimesh gjatë hapjes. Dhe kur të gjithë ikën, ishte sikur trupa e cirkut kishte lënë qytetin."

Bob Sweeney është drejtor ekzekutiv i DC2024, një grup që kërkon të sjellë Olimpiadën Verore të vitit 2024 këtu në Uashington DC. Ai thotë se Lojërat e Londrës përmirësuan edhe një koncept ekzistues: objektet e përkohshme.

"Stadiumi i tyre i basketbollit ishte shembull i shkëlqyer i një ndërtese çeliku, me mjedise të brendshme me cilësi të lartë dhe ata e çmontuan menjëherë pas Lojërave. Kishte rreth një të tretën e kostos së ndërtimit të një objekti të përhershëm për olimpiadën."

Zoti Sweeney tha se në projektin e Uashingtonit do të propozohen qendra të përkohshme. Objektet e përkohshme dhe ato përmasat e të cilave mund të zvogëlohen pas lojërave janë element në shumë oferta për Lojëra të ardhshme Olimpike. Profesorja Delpy Neirotti thotë se me Soçin nuk ndodhi kështu.

"Ata krijuan këto shtatë objekte në një rreth pranë të cilit nuk ka shumë gjëra të tjera. Fillimisht dy prej këtyre objekteve do të ishin të përkohshme dhe do të zhvendoseshin në një vend tjetër pas lojërave, por planet ndryshuan."

Ajo thotë se shqetësohet për fatin e këtyre ndërtesave pas lojërave që nisën sot.
XS
SM
MD
LG