Lidhje

Kompanitë e mediave sociale dëshmojnë në Kongres


Kompanitë e medias sociale pranuan se subjekte ruse përdorën platformat e tyre për të përhapur informacione të gabuara gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 dhe u zotuan të luftojnë më mirë abuzime të tilla në të ardhmen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton se përfaqësues nga kompania Facebook, Twitter dhe Google po dëshmojnë për të dytën ditë para një nënkomisioni të Senatit ndërsa ligjvënësit kërkojnë të hartojnë ligje që mbrojnë transparencën në Internet.

Gjigandët e medias sociale konfirmuan atë që agjencitë amerikane të zbulimit e kishin thënë muaj më parë:

“Aktorë të huaj përdorën llogari të rreme për të vendosur reklama në Facebook dhe Instagram që arritën miliona amerikanë gjatë një periudhe mbi dy vjeçare…Shumë nga këto reklama dhe postime janë provokuese. Disa janë vërtetë ofenduese”, tha Colin Stretch, me kompaninë Facebook.

“Shërbimet tona mund të jenë keqpërdorur. Sulmet e sponsorizuar nga shteti janë veçanërisht të dëmshme”, thotë Richard Salgado drejtor për sigurinë e informacionit me kompaninë Google.

Facebook-u thotë se gati 126 milionë përdorues morën informacione nga burime të rreme ruse. Twitter thotë se zbuloi një sasi të vogël materialesh mashtruese ruse në volumin masivë të platformës. Megjithatë …

“Twitteri beson se çdo aktivitet i atij lloji, pavarësisht magnitudës, është i papranueshëm.”

Ligjvënësit janë të të njëjtit mendim.

“Këto platforma janë përdorur nga njerëz që duan të na dëmtojnë dhe të shkaktojnë probleme”, tha senatori Lindsey Graham.

“Nuk është lajm i ri që Rusia ndërhyri në zgjedhje. Ajo që është vërtetë tronditëse dhe e vështirë për t’u kuptuar është sa lehtë dhe sa me sukses i përdorën teknologjitë moderne në avantazh të tyre”.

Përfaqësuesit e kompanive teknologjike thanë se dizinformimi rus kërkoi vazhdimisht të mbjellë mosmarrëveshje në elektoratin amerikan, së pari, duke nxitur ndjenja dëmtuese për demokraten Hillary Clinton dhe pas zgjedhjeve presidenciale, duke mbjellë dyshime rreth legjitimitetit të fitores së republikanit Donald Trump.

Të tre përfaqësuesit theksuan se po ndërmarrin hapa agresivë për të parandaluar përsëritjen e këtij fenomeni, ndërkohë që kompania Facebook u përpoq të siguronte amerikanët drejtpërsëdrejti.

“Jemi të vendosur të punojmë më mirë. Do të punësojmë 4,000 njerëz, që do të rishikojnë reklamat, inxhinierë dhe ekspertë të sigurisë. Së bashku me përparimet në teknologji dhe inteligjencën artificiale, këta ekspertë do të identifikojnë dhe do të heqin përmbajten dhe llogaritë e rreme.”

Facebook u zotua gjithashtu të verifikojë dhe publikojë identitetin e atyre që kanë vënë reklama për zgjedhjet, ashtu siç kërkohet në një projekt-ligj që po shqyrtohet në Senat.

Ligjvënësit dhe gjigandët e teknologjisë pranojnë se kërcënimi shkon përtej Rusisë.

“A mundet që Irani dhe Koreja e Veriut të bëjnë të njëjtën gjë?”, pyeti senatori Lindsey Graham.

“Padyshim. Interneti nuk ka kufi”, u përgjigj Colin Stretch.

Përfaqësues nga të njëjtat kompani do të dëshmojnë sot para komisioneve të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG