Lidhje

Cyril Ramaphosa, presidenti i ri i Afrikës së Jugut


Parlamenti i Afrikës Jugore zgjodhi sot zyrtarisht Cyril Ramaphosa-n si presidentin e ri të vendit.

Kreu i Gjykatës së Lartë Mogoeng Mogoeng tha se zoti Ramaphosa mund të zgjidhej pa votim pasi ishte i vetmi kandidat i propozuar për këtë post.

Zgjedhja e zotit Ramaphosa erdhi disa orë pasi Jacob Zuma dha dorëheqjen "me efekt të menjëhershëm". Prej disa ditësh udhëheqësit e Kongresit Kombëtar Afrikan, partisë në pushtet, i kërkuan zotit Zuma të largohej nga detyra që mbante prej 9 vitesh, pas akuzave për korrupsion.

Presidenti i ri Ramaphosa përballet me sfida të shumta, ndër të cilat rindërtimi i ekonomisë pas një stanjacioni të gjatë. Pas dorëheqjes së Zuma-s vlera e monedhës së Afrikës së Jugut, pësoi rritjen më të fortë në tre vjet kundrejt dollarit.

Zuma u përpoq të shtyjë dorëheqjen e tij deri në qershor, por udhëheqësit e Kongresit Kombëtar Afrikan kërcënuan se do të zhvillonin një votim mosbesimi ndaj tij sot, nëse nuk do të jepte dorëheqjen e menjëhershme.

Zuma akuzohej ndër të tjera se kishte lejuar familjen e fuqishme indiane Gupta të ndikonte në emërimet e kabinetit dhe se kishte përdorur rreth 20 milionë dollarë fonde publike në funksion të pronave të tij.

XS
SM
MD
LG