Lidhje

Soyuz arrin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës


Anija hapësinore ruse Soyuz zbarkoi në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, pas një vonese prej dy muajshe të shkaktuar nga dështimi i një anije hapësinore ruse mallrash pa pilot.

Zyrtarët thanë se Soyuz arriti në laboratorin orbital sot, më pak se gjashtë orë pas nisjes nga baza Baikonur në Kazakistan. Zyrtarët e Agjencisë amerikane të hapësirës, NASA thonë se Soyuz u soll rreth Tokën katër herë para se të ankorohej në stacionin e hapësirës.

Nisja e anijes Soyuz drejt stacionit hapësinor u shty pas dështimit në muajin prill të një anije mallrash pa pilot që duhej të dërgonte furnizime për ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Amerikani Kjell Lindgren, rusi Oleg Kononenko, dhe japonezi Kimiya Yui do t’i bashkohen dy astronautëve rusëve dhe një amerikan në bordin e stacionit të hapësirës: Genadi Padalka, Mikhail Kornienko, dhe Scott Kelly. NASA thotë se të gjashtë anëtarët e ekuipazhit do të qëndrojnë në stacionin e hapësirës deri në dhjetor.

Kelly dhe Kornienko janë duke marrë pjesë në misionin e parë njëvjeçar në bordin e stacionit të hapësirës, në një eksperiment që ka për synim të studiojë efektet e fluturimit hapësinor afatgjatë në trupin e njeriut. Ata do të kthehen në Tokë në muajin mars, pas një qëndrimi 342 ditësh në hapësirë.

XS
SM
MD
LG