Lidhje

Spanjë: Protesta kundër ndalimit të dy udhëheqësve katalonjas


APTOPIX Spain Catalonia
APTOPIX Spain Catalonia

Dhjetëra mijëra njerëz protestuan të martën mbrëma në Barcelonë kundër ndalimit të dy udhëheqësve separatistë të Katalonjës nga qeveria spanjolle. Protestuesit bënë thirrje për lirimin e Jordi Sanchezit dhe Jordi Cuixart-it, të cilët akuzohen për nxitje të dhunës në një marshimin pro-pavarësisë muajin e kaluar. Rreth pesëdhjetë ligjvënës spanjollë dhe katalonjas sot në parlamentin e Spanjës kërkuan lirimin e udhëheqësve të ndaluar.

Ndërkohë, Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy i bëri thirrje udhëheqësit të Katalonjës, Carles Puigdemont që të veprojë me përgjegjësi në lidhje me afatin që i ka dhënë Madridi që të tërheqë vendimin për shpallje të pavarësisë nga Spanja.

Rreth pesëdhjetë ligjvënës spanjollë dhe katalonjas protestuan sot në Parlamentin e Spanjës, duke mbajtur fotografi të udhëheqësve katalonjas të ndaluar nga autoritetet. Në protestën që zgjati vetëm 15 sekonda, ligjvënësit kërkuan lirimin e menjëhershëm të Jordi Sanchez-it dhe Jordi Cuixart-it, udhëheqës të organizatës “Asambleja Kombëtare e Katalonjës” dhe “Përzierja Kulturore”, të cilët akuzohen për nxitje të dhunës dhe kryengritje. Ndalimi i tyre dje shkaktoi protesta në Katalonjë, ku bëhej thirrje për heqjen e akuzës për kryengritje dhe lirimin e tyre të menjëhershëm.

"Qeveria spanjolle thotë se ata nuk janë të burgosur politikë. Por ata nuk mund të ndiqen penalisht për kryengritje, sepse ky është një krim i zbatueshëm vetëm për politikanët. Pra, ata mund të akuzohen për vandalizëm. Por, askush nuk është burgosur nën akuza për vandalizëm. Kështu që unë nuk jam dakord me trajtimin që po u bëhet atyre", thotë protestuesja Emilia Dominguez.

Më parë të martën, gjykata më e lartë e Spanjës vendosi se referendumi i Katalonjës për pavarësi ishte e paligjshme, duke thënë se ligji rajonal në të cilën mbështet votimi shkel kushtetutën e Spanjës.

Spanja i ka dhënë afat Katalonjës deri të enjten që të tërhiqet nga çdo lëvizje që ka bërë për t'u ndarë ose do të përballet me kontrollin e drejtpërdrejtë nga Madridi.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy sot i bëri thirrje udhëheqësit të Katalonjës që të veprojë “me përgjegjësi” ndaj këtij afati.

“Përgjigja është shumë e thjeshtë, nuk është e vështirë, a keni shpallur pavarësinë e Katalonjës apo jo? Sepse nëse e keni shpallur pavarësinë, atëherë qeveria, në bazë të kushtetutës, është e obliguar të reagojë në një mënyrë të caktuar, dhe nëse ai nuk e ka bërë këtë, atëherë çështja mund të diskutohet këtu në parlament, në të gjitha grupet parlamentare”, tha sot Kryeministri Mariano Rajoy.

Katalonja, rajoni më i begatë i Spanjës, ka gjuhën dhe kulturën e saj unike dhe është thellësisht e ndarë në lidhje me pavarësinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG