Lidhje

Spanjë: Demonstrata pro-unitetit spanjoll


Mijëra njerëz u bashkuan në një tubim në Barcelonë të dielën për të protestuar kundër shtytjes së qeverisë katalanase për shkëputje nga Spanja. Anketat kanë sugjeruar se më shumë katalanas favorizojnë të rrinë të bashkuar me Spanjën sesa të shpallin pavarësinë.

Tubimi vjen një javë pas një referendumi në të cilin katalonasit votuan me shumicë dërrmuese për pavarësinë. Në atë sondazh, që konsiderohej i jashtëligjshëm nga Madridi, 90 për qind votuan për t’u shkëputur nga Spanja, por pjesëmarrja ishte shumë më pak se gjysma e elektoratit.

Protestuesit u mblodhën në sheshin Urquinaona të Barcelonës duke kënduar “Viva Espana”.

Presidenti katalanas Carles Puigdemont është zotuar të punojë për arritjen e pavarësisë.

Në një intervistë me gazetën El Pais, kryeministri Mariano Rajoy tha se nuk do të përjashtojë përdorimin e kompetencave kushtetuese për të hequr statusin autonom të Kataloniës në qoftë se rajoni deklaron pavarësinë.

“Të jeni të sigurt se qeveria do të parandalojë që çdo deklaratë e pavarësisë të kthehet në diçka konkrete. Spanja do të vazhdojë të jetë Spanja dhe do të vazhdojë të jetë e njëjta për një kohë të gjatë”.

Kryeministri Rajoy i tha gazetës El Pais se politika katalanase ishte rrëmbyer nga radikalët dhe duhej të kthehej në një pozitë të moderuar.

"Tani ata i janë futur një rruge që nuk të çon askund, ata kanë zgjedhur radikalizmin që pengon çdokënd për të patur ndikim dhe pengon ndërtimin e diçkaje që ndihmon bindjet e tuaja. Radikalizmi ka çuar në këtë proces ndarës që po ndodh tani, ka shkaktuar shqetësim të madh tek të gjithë, madje edhe largimin e kompanive. Është vërtet e pabesueshme sa shumë kompani të rëndësishme po braktisin Katalonian, që largohen sepse duhet të largohen,të mbrojnë bilancin e tyre, punëtorët e tyre dhe pagat e tyre. Duhet të kthehet katalanizmi i moderuar” shtoi Rajoy.

Më parë të shtunën, mijëra protestues u mblodhën në mitingje në Barcelonë, Madrid dhe në qytete të tjera spanjolle.

Organizatorët e mitingut pro-ndarjes në Katalonia i kishin kërkuar demonstruesve të visheshin me të bardha dhe të mos shfaqnin ndonjë flamur, qoftë spanjoll ose të Katalonias. Organizatorët e demonstratave kanë promovuar sloganin, “Le të flasim”.

Po ashtu në Madrid, kryeqytetin spanjoll, u mbajt një demonstratë për unitetin spanjoll, ku morën pjesë mijëra njerëz që valëvitnin flamuj kuq dhe verdhë të Spanjës.

Disa shtete të BE-së janë të shqetësuar se biseda për pavarësinë katalanase mund të ushqejë ndjenjat ndarëse në pjesë të tjera të Evropës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG