Lidhje

Zgjedhjet në Spanjë nuk zgjidhin bllokadën


Zgjedhjet parlamentare të përsëritura në Spanjë, dështuan të përcaktojnë të ardhmen e menjëhershme politike të vendit, ndërsa partitë kryesore pretendojnë të kenë fituar numrin e njëjtë të votave sikurse vitin e kaluar. Rezultati i zgjedhjeve në muajin dhjetor të vitit 2015 çoi në gjashtë muaj negociata të dështuara që kushtëzuan rivotimet e së dielës.

Partia Popullore e kryeministrit në detyrë, Mariano Rajoy, tha se ka fituar 136 vende, larg nga 176 sa janë të nevojshme për të pasur shumicën në parlamentin 350 vendesh, por 14 më shumë sesa në zgjedhjet e dhjetorit. Përpjekjet nga ajo kohë për të gjetur një partner në koalicionin qeverisës nga partitë rivale, dështuan.

Rezultatet e zgjedhjeve nxorën Partinë Socialiste te qendrës së majtë të dytën me 85 vende, pesë më pak se sa në zgjedhjet e gjashtë muajve më parë.

Aleanca radikale, kundër masave shtrënguese, Unidos Podemos, që përfshinë komunistët dhe të gjelbrit, ka fituar 71 vende. Kjo aleancë shpresonte të tejkalojë socialistët në një përpjekje për të thyer traditën e kontrollit dypartiak të jetës publike në ekonominë e pestë më të madhe evropiane.

Partia Ciudadanos, që shihej si aleate e natyrshme e kryeministrit Rajoy, doli e katërta me 32 vende.

Me rezultatet e deritashme të zgjedhjeve të së dielës, partitë duket që do t'i kthehen sërish tryezës së bisedimeve që sipas analistëve duket të jenë shumë sfiduese.

Muajin e kaluar, mbreti Felipe e shpërndau parlamentin pas skadimit të afatit për formimin e një qeverie. Është hera e parë që Spanja përsëriti zgjedhjet që nga viti 1975, kur u bë demokraci.

XS
SM
MD
LG