Lidhje

Mocion votëbesimi për qeverinë spanjolle


Parlamenti spanjoll filloi sot debatin mbi një votë mosbesimi kundër kryeministrit Mariano Rajoy. Votimi që do të zhvillohet të premten, mund të sjellë rrëzimin e qeverisë së qendrës së djathtë të Spanjës pas gjashtë vjetësh në pushtet. Mocioni është sjellë nga kreu socialist i opozitës, Pedro Sánchez pas përfundimit javën e kaluar të një gjyqi të gjatë korrupsioni, i njohur si rasti Gürtel. Një gjykatë spanjolle gjeti fajtorë ish-zyrtarë të Partisë Popullore të zotit Rajoy për kryerjen e një operacioni me mashtrim fondesh.

E ardhmja e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy mbetet e paqartë, me kreun socialist Pedro Sanchez shumë pranë suksesit për ta detyruar atë të largohet nga posti.

Kreu socialist Sanchez, i sugjeroi zotit Rajoy të japë dorëheqjen për të shmangur poshtërimin duke u bërë kryeministri i parë spanjoll që humbet votëbesimin.

"Do t'ju bëj një pyetje zoti Rajoy, a jeni gati të jepni dorëheqjen, a jeni gati të jepni dorëheqjen sot, këtu, tani. Jepni dorëheqjen zoti Rajoy dhe gjithçka do të përfundojë. Ju mund të largoheni vetë nga qeveria. A do të japësh dorëheqjen apo do të vazhdosh të kapesh pas pozitës, duke dobësuar demokracinë, duke dobësuar dhe nënçmuar cilësinë e institucionit qeveritar?"

Kreut socialist do t’i duhet një shumicë absolute prej 176 votash të premten për t'u bërë kreu i një qeverie të re. Informacionet sugjerojnë se ai ka siguruar deri tani 175 vota.

Sanchez tha se nëse fiton votimin, ai do të respektojë buxhetin e miratuar nga qeveria aktuale e zotit Rajoy dhe gjithashtu do të kërkojë të fillojë një dialog të ri me rajonin e trazuar të Katalonjës.

Gjatë debatit, zoti Rajoy tha se votimi i mosbesimit është vetëm një justifikim nga ana e zotit Sanchez për të marrë pushtetin pa zgjedhje.

"Dënimi nuk fajëson Partinë Popullore për korrupsion ose për krijimin e një sistemi korruptiv institucional. Do të ishte mirë të lexoni vendimin dhe ta lexoni mirë. Ajo që thuhet në vendim është se disa anëtarë të Partisë Popullore kishin krijuar një sistem paralel me disa kompani. Kjo është ajo që thuhet në vendim dhe prandaj Partia Popullore nuk u dënua penalisht, por për një shkelje ligjore, për një veprim që siç thuhet në vendim, Partia Popullore nuk ishte në dijeni. Prandaj ju keni gënjyer dhe nuk mund të vini në parlament për të treguar gënjeshtra ".

Largimi i zotit Rajoy do të shkaktonte një krizë të dytë politike në Evropën Jugore, do të trondiste më tej tregjet financiare tashmë të lëkundura nga përpjekjet e dështuara për të formuar një qeveri në Itali tre muaj pas zgjedhjeve kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG