Lidhje

Spanjë: procesi gjyqësor ndaj udhëheqësve të Katalonjës


Udhëheqësi i shkarkuar i Katalonjës Carles Puigdemont e dënoi vendimin e një gjykatësi në Spanjë, i cili urdhëroi qëndrimin në burg të nëntë ish udhëheqësve të Katalonjës, ndërsa hetimet ndaj tyre vazhdojnë, në akuzat për rebelim dhe nxitje për shkëputje të rajonit nga Spanja. Gjykatësi më vonë i dha njërit prej tyre liri me kusht, kundrejt një shume prej 58.300 dollarësh.

Puigdemont, i cili është në Bruksel me katër anëtarë të ish kabinetit të tij, rrezikon të arrestohet dhe të kthehet në Spanjë pasi nuk ju bind një urdhëri të gjykatës të enjten, së bashku me kolegët e tij që po mbahen në burg.

"Shteti spanjoll ka vendosur të verë nën pranga nënpresidentin (Oriol Junqueras) dhe këshilltarët legjitimë të qeverisë së zgjedhur në votimet e 27 shtatorit. Ky është një gabim shumë i madh. Është një sulm mbi demokracinë. Të burgosësh krerët politikë për zbatimin e një angazhimi zgjedhor, një angazhim të përcaktuar, të bërë para parlamentit me mbështetje të mjaftueshme nga popullata, është një akt që pengon parimet e demokracisë."

Puigdemont i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij si të motivuara politikisht dhe tha se do të kthehej në Spanjë, vetëm nëse merr garanci se procesi ligjor do të jetë i paanshëm dhe i drejtë.

Qeveria qendrore e Spanjës mori kontrollin e Katalonjës javën e shkuar dhe e shpërbëri parlamentin, në përgjigje të një referendumi për pavarësinë më 1 tetor dhe shpalljes pas tij të pavarësisë nga ligjvënësit katalanas.

Masa e javës së kaluar për t’i hequr Katalonjës autonominë, përfshinte caktimin e zgjedhjeve të reja në rajon për në dhjetor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG