Lidhje

Trump u drejtohet përkrahësve pas njoftimeve për ngritjen e një jurie të madhe


Prokurori i Posaçëm Robert Mueller

Në një fjalim sfidues që mbajti të enjten vonë në Virxhinian Perëndimore, Presidenti Donald Trump i quajti “krejtësisht të trilluara” njoftimet që flasin për lidhjet e dyshuara të fushatës së tij me Rusinë. Në komentet përpara përkrahësve në Huntington ai tha se trillime të tilla i bëjnë kundërshtarët e tij të ndihen më mirë pas humbjes në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Pak orë përpara fjalimit, gazeta “The Wall Street Journal” njoftoi se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka organizuar ngritjen e një jurie të madhe, duke zgjeruar dukshëm hetimet e tij lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

"Ata po përpiqen t'ju mashtrojnë dhe t’ju heqin udhëheqjen që ju dëshironi, duke sajuar një histori të rreme," tha zoti Trump mes brohoritjeve. "Kjo është poshtëruese për të gjithë ne."

Lidhur me hetimet e zotit Mueller, zoti Trump tha: "Unë thjesht shpresoj që përfundimi që do të arrihet të jetë vërtet i ndershëm”.

Shih: 'Zërat e dështuar në Uashington janë kundër lëvizjes sonë', tha Presidenti Trump​

Presidenti shtoi se "ajo që duhet të hetojnë prokurorët janë të 33 mijë e-mailat e fshira nga Hillary Clinton".

Kandidatja demokrate, Clinton, fitoi votën popullore, por republikani Trump i fitoi zgjedhjet presidenciale duke marrë më shumë vota elektorale.

Serioziteti i çështjes

Presidenti foli përpara mbështetësve në Virxhian Perëndimore pas komenteve të analistëve politikë në media, të cilët theksuan seriozitetin e hapit të ndërmarrë nga Prokurori i Posaçëm Mueller, me ngritjen prej tij të një jurie të madhe në Uashington.

"Nëse zoti Mueller vërtet ka ngritur një juri të madhe, kjo mund të sinjalizojë se ai ka prova të rëndësishme që mund të tregojnë se është kryer një vepër penale,” i tha Zërit të Amerikës profesor Anthony Clark Arend, i Universitetit Georgetown.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se juria e madhe tashmë ka lëshuar urdhër për konfiskim dokumentesh në lidhje me takimin e qershorit 2016 mes një avokateje ruse me djalin e Presidentit Trump, Donald Trump Jr dhe zyrtarë të tjerë të fushatës.

Donald Trump Jr. në Kullën Trump, 18 janar 2017.
Donald Trump Jr. në Kullën Trump, 18 janar 2017.

Njoftimet tregojnë se Trump Jr u entuziazmua nga ideja e një takimi të tillë kur avokatja ruse, me anë të një ndërmjetësi, i tha atij se zotëronte dëshmi inkriminuese për kandidaten demokrate Clinton.

Presidenti Donald Trump ka hedhur dyshime rreth akuzave se rusët u përpoqën të ndërhynin në zgjedhje, pavarësisht njoftimeve të zbulimit se Kremlini u përpoq t’i manipulonte zgjedhjet në favor të kandidatit Trump.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje dhe zoti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë. Ai e ka quajtur hetimin e zotit Mueller "një gjueti shtrigash" dhe në Uashington ka patur njoftime se presidenti mund të përpiqet ta shkarkojë prokurorin e posaçëm

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë

Tani që sipas njoftimeve është krijuar një juri e madhe, ajo mund të kërkojë të konfiskojë informacione financiare të familjes Trump. Presidenti e ka paralajmëruar zotin Mueller të qëndrojë larg financave të tij.

Shih: 'Nuk ka patur rusë në fushatën tonë,' tha zoti Trump

Televizioni CNN njoftoi të enjten se hetimi i zotit Mueller e ka kaluar vijën e kuqe dhe është zgjeruar duke përfshirë ekzaminimin e “shkeljeve të mundshme financiare, disa prej të cilave nuk kanë lidhje me zgjedhjet e 2016-s”.

Këshilltari i posaçëm i zotit Trump, Ty Cobb, tha se nuk ka dijeni për ndonjë hetim me juri të madhe por theksoi: "Shtëpia e Bardhë favorizon çdo gjë që e shpejton përfundimin e punës së tij në mënyrë të drejtë ... Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar të bashkëpunojë plotësisht me z. Mueller".

Të enjten mbrëma, duke ecur nga helikopteri presidencial për në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti nuk u përgjigj kur u pyet nga VOA nëse zoti Mueller kishte shkelur vijën e kuqe.

Zyra e zotit Mueller nuk ka komentuar rreth njoftimit të gazetës “Wall Street Journal”.

Robert Mueller, ish-drejtor i FBI-së, mori përsipër hetimet për Rusinë, kur Presidenti Trump shkarkoi drejtorin e tij të FBI-së James Comey në muajin maj pasi zoti Comey me sa duket refuzoi kërkesën e presidentit për t’u tërhequr nga hetimi.

Projektligj për të mbrojtur Prokurorin e Posaçëm

Të enjten, dy senatorë paraqitën një projektligj që e bën të vështirë shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm.

Propozimi i demokratit Chris Coons dhe republikanit Thom Tillis kërkon miratimin e një ligji, ku të përcaktohet se një president mund ta shkarkojë Prokurorin e Posaçëm vetëm për sjellje të pahijshme, konflikt interesi, sëmundje të rëndë apo ndonjë shkak tjetër të fortë.

Sipas projektligjit, një komision prej tre gjyqtarësh do të përcaktonte nëse shkarkimi është i justifikuar.

Projektligji duket se është një përpjekje për të mbrojtur zotin Mueller nga çdo përpjekje e zotit Trump për ta shkarkuar.

Por disa analistë thonë se nëse Presidenti synon ta shkarkojë zotin Mueller, propozimi në fjalë mund ta nxisë zotin Trump që ta bëjë shkarkimin përpara se Senati të ketë rastin për ta hedhur në votë projektligjin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG