Lidhje

Spicer: Trump nuk do të nxjerrë informata për piraterinë kibernetike


Sean Spicer, zëdhënësi i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë paralajmëron publikun të mos ushqejë shumë shpresa se presidenti i zgjedhur Donald Trump do të bëjë të ditur informata të reja lidhur me të dhënat që kanë grumbulluar shërbimet e zbulimit mbi piraterinë kibernnetike gjatë fushatës zgjedhore. Administrata aktuale akuzon Rusinë për ndërhyrje në kompiuterat e fushatës së zonjës Clinton, duke e fajësuar për ndikim në zgjedhjet presidenciale që dëmtuan rivalen e zotit Trump në zgjedhje.

“Nuk bëhet fjalë për nxjerrjen e ndonjë informate të re,” tha zoti Spicer për rrjetin mediatik CNN të hënën. “Ai do të flasë për përfundimet që do të nxjerrë pasi të informohet. Por nuk do të nxjerrë informata sekrete që do të mësojë gjatë seancës së informimit. Mendoj se ai mund të diskutojë publikisht konkluzionet e tij dhe këndvështrimin e tij mbi situatën”.

Zoti Trump tha në komentet për shtyp më 31 dhjetor se është në dieni të më shumë hollësive se sa janë bërë të ditura për publikun lidhur me piraterinë kibernetike për të cilën akuzohet Moska. Ai premtoi se njerëzit do të informohen mbi ato që di ai “të martën ose të mërkurën”.

Presidenti i zgjedhur ka ngritur dyshime mbi përfundimin e arritur nga shërbimet e zbulimit se Moska kishte autorizuar pirateri kibernetike në kompiuterat e rivales së zotit Trump, kandidates demokrate Hillary Clinton dhe kishte lejuar nxjerrjen e informatave përmes faqes elektronike WikiLeaks për të dëmtuar shanset e zonjës Clinton në zgjedhje. Përfundimet e shërbimeve të zbulimit u bënë shkas për masa ndëshkimore nga administrata Obama kundër Rusisë, ndër të cilat dëbimin e 35 diplomatëve rusë nga Shtetet e Bashkuara, të cilët Uashingtoni i cilësoi si agjentë rusë.

XS
SM
MD
LG