Lidhje

Përvjetori i masakrës së Srebrenicës


Bosnja e Hercegovina po shënon sot 24 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë e cila ishte shpallur atëbotë “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, urdhëroi pushtimin e Srebrenicës dhe më 11 korrik forcat serbe të drejtuara nga gjenerali serb, Ratko Mladiç e morën qytetin.

Për disa ditë me radhë forcat serbe vranë rreth 8 mijë veta, trupat e të cilëve u hodhën në varreza masive.

Edhe 24 vjet më pas vazhdon punë për të gjetur dhe identifikuar viktimat identifikimi i të cilave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre. Dhe çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore në Potoçari.

Sot në atë qendër varrosen 33 viktima.

Dy ish udhëheqësit e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç, janë dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë në luftën e Bosnjës, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

E cilësuar si gjenocid nga Gjykata ndërkombëtare për krime lufte dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, masakra e Srebrenicës nuk cilësohet si e tillë nga serbët e Bosnjës dhe Serbia zyrtare. Në vitin 2015 Rusia i vuri veton një projekt-rezolute të OKB-së që e dënonte si akt gjenocidi masakrën në Srebrenicë.

Organizata “Gratë në të zeza” në Beograd mbajti të enjten një veprimtari duke u bërë thirrje autoriteteve serbe që ta pranojnë gjenocidin në Srebrenicë.

DASH: Kapitull i dhimbshëm që nuk mund të mohohet e as harrohet

Departamenti amerikan i shtetit, tha të enjten se “populli amerikan i bashkohet popullit të Bosnjës e Hercegovinën për të nderuar kujtimet për më shumë se 8 mijë viktima të pafajshme”, sot kur “shënojmë 24 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë”.

Në një deklaratë me rastin e këtij përvjetori, thuhet se “ky kapitull i dhimbshëm në historinë evropiane, nuk duhet të mohohet e as të harrohet. Ne qëndrojmë përkrah atyre që kërkojnë drejtësi. Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për ata që punojnë për të nderuar dinjitetin e të gjitha viktimave, përfshirë edhe ata që ende presin një vend për t’u prehur. Ngjarjet tragjike të së kaluarës na kujtojnë nevojën që të punojmë të bashkuar për një të ardhme më të mire, një të ardhme të qëndrueshme, përparimtare dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i palëkundur i popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës, deklarata thekson se “sot derisa kujtojmë të rënët, ne ritheksojmë angazhimin tonë për të ndërtuar paqen dhe përparimin në të gjithë rajonin dhe për t’u siguruar që tragjedi të tilla kurrë më nuk do të ndodhin”.

BE: Nuk ka vend për mohuesit e krimeve

Shefja në largim e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerim, Johannes Hahn, në një deklaratë të përbashkët thanë se “sot përkujtojmë gjenocidin në Srebrenicë...një nga momentet më të errëta të njerëzimit në historinë bashkëkohore evropiane”.

Në deklaratë thuhet mes tjerash se duhet të marrë fund "mosndëshkeshmëria”

“Nuk ka vend për retorikë nxitëse, për mohimin, revizionizmin apo glorifikimin e kriminelëve të luftës. Përpjekjet për të rishkruar historinë në Bosnje dhe Hercegovinë apo kudo, janë të papranueshme...”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, shprehu keqardhjen e Parlamentit Evropian që “që disa politikanë në Serbi vazhdojnë të mohojnë që masakra në Srebrenicë, ishte gjenocid”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG