Lidhje

Stadiumi i ri olimpik i Tokios


Kur gjithçka të ketë përfunduar për Olimpiadën Verore 2020 në Tokio, ai mund të jetë stadiumi më i shtrenjtë në botë. Vlerësimi i fundit i kostos prej 2 miliard dollarësh me kursin e këmbimit aktual, do ta çojë atë përtej rekordit të tanishëm prej 1.6 miliard dollarësh që mbahet nga stadiumi MetLife i ndërtuar në vitin 2010 për ekipet e futbollit, Jets dhe Giants të Nju Jorkut.

Në vitin 2013, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar zgjodhi Tokion si vendin mikpritës për Lojrat Olimpike Verore 2020, nisur pjesërisht nga premtimet për një stadium të ri kombëtar projektuar nga fituesja e çmimit Pritzker, arkitektja irakiano-britanike, Zaha Hadid.

Kostoja origjinale e ndërtimit, e llogaritur në rreth 1.29 miliard dollarë u rrit shpejt në 2.02 miliardë, me disa ekspertë që parashikojnë një kosto edhe më të lartë.

Përse kaq shumë? Kupola me harqe celiku e stadiumit i ngjan një helmete biçiklete.

Për të patur një fushë me bar natyral, fundi i çatisë në pjesën jugore do të jetë i tejdukshëm që të lejojë rrezet e diellit dhe do të ketë sisteme të ventilimit të tokës dhe të kontrollit të temperaturës.

Karriget e lëvizshme do të sjellin sspektatorët më pranë garave dhe duke qenë në Japoni, stadiumi do të jetë i për t’i bërë ballë tërmeteve.

Stadiumi do të ndërtohet pranë stadiumit kombëtar të rrafshuar kohët e fundit që u ndërtua në vitin 1964 për Olimpiket e atëhershme. Ndërtimi do të fillojë në tetor.

Arkitekti Fumihiko Maki, fitues i çmimit Pritzker thotë se publiku duhet të jetë i vetdijshëm për vështirësitë e projektit.

"Menduan se kostoja totale ddo të ishte 1.29 miliardë dollar, por ajo shskoi në mbi 2.02 miliardë dollarë dhe mund të ngrrihet edhe më tej. Procesi i ndërtimit ka probleme të mëdha. Për shembull, punimet duhet të ndalen para mesnatës, në fundjavë dhe ditët e festave. Ky projekt i vështirë kërkon shumë kohë. Mendoj se do të bëhet një problem real."

Rritja e kostos së ndërtimit e ka vënë qeverinë e kryeministrit Shinzo Abe në pozita mbrojtëse, në një kohë kur niveli i miratimit për punën e tij po bie, për shkak të pakënaqësive ndaj planit të tij për shtimin e rolit ndërkombëtar të ushtrisë japoneze.

Jim Heverin, drejtor i projektit thotë se i kupton shqetësimet që lidhen me rritjen e kostos, por nuk do që të hidhet hije mbi projektin për shkak të debateve të tanishme.

“Është e kuptueshme se kur kostoja rritet me 55% njerëzit shqetësohen. Ne jemi pak të shqetësuar se me gjithë këtë mbulim nga media që kryesisht përqëndrohet në kritikat ndaj arkitektes Zaha apo ekipit të punës, po humbet pjesa më pozitive e mesazhit dhe ajo është trashëgimia e një stadiumi të ri kombëtar që do të përdoret për Kampionatin Botëror të Regbisë dhe Olimpiket 2020. "

Në maj ministria japoneze e Arsimit, Kulturës dhe Sporteve njoftoi se do ta shtyjë ndërtimin e çatisë së palosshme pas Olimpikeve, në mënyrë që stadiumi të jetë gati në vjeshtë të vitit 2019 kur fillon kampionati i regbisë.

Por pa çatinë stadiumi nuk do të jetë aq i përdorshëm. I mbyllur, me temperature të kontrolluar, ai mund të përdoret për koncerte dhe aktivitete të tjera si panaire tregëtare apo të modës.

Arkitekti Edward Suzuki e kritikon këtë vendim.

"Cili artist mund të ftojë 80,000 spektatorë për një koncert? Ndoshta Paul McCartney dhe Mick Jagger, por sa herë në vit? Dhe tani pa çati, çfarë mund të bëjnë?"

Ministri për olimpiket Toshiaki Endo pranoi kohët e fundit se llogaritjet e fundit prej 2 miliardë dollarësh përbëjnë një rritje të konsiderueshme të kostos nga 1.6 miliardë dollarë.

XS
SM
MD
LG