Lidhje

Turqia pas tri ditë protestash


Në qytetin më të madh turk, Stamboll, përleshjet vazhdojnë pranë zyrës së kryeministrit ndërsa po shkallëzohen kundërshtimet ndaj qeverisë. Protestat, të cilat vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin, shoqërohen me akuzat kundër kryeministrit Reçep Taip Erdohan se po sillet në mënyrë gjithnjë e më autoritare dhe po kërcënon liritë e individit.

Demonstruesit në Stamboll u përleshën me forcat e sigurisë deri në orët e vona të ditës së djeshme, në disa nga incidentet më të rënda me dhunë që kur filluan trazirat tri ditë më parë. Ka pasur njoftime për plagosje dhe arrestime në masë, pranë zyrës së kryeministrit.

Trazirat në Ankara vazhduan edhe pas rënies së muzgut. Demonstratat po përhapen në gjithë vendin. Autoritetet thonë se 1700 vetë janë ndaluar, megjithëse pjesa më e madhe janë liruar.

Por në epiqendrën e protestave - sheshi Taksim i Stambollit- e diela kaloi pa incidente, ndërkohë që mijëra vetë ishin mbledhur për demonstrata paqësore. Ishte shtypja e dhunshme nga policia e protestave të së premtes në kundërshtim të një kompleksi komercial që çoi në demonstrimet më të gjera që ka parë vendi prej dekadash.

Protestuesit e akuzojnë kryeministrin Erdohan se po vepron gjithnjë e më shpesh në mënyrë autoritative dhe po përpiqet të imponojë axhendën e tij konservatore në shoqëri. Këta demonstrues thonë se kryeministri duhet të ndryshojë kursin:

“Ai ka ego tepër të madhe dhe kalon në veprime negative. Ai mund të përdorë edhe plumba të rregullt kundër popullatës”.

“Unë e kisha për detyrë të isha këtu për t’u treguar të gjithëve se duhet të mbrojmë të drejtat tona”.


Shumë nga demonstruesit janë të rinj dhe nuk duket se kanë lidhje me ndonjë parti politike. Lëvizja përbëhet nga përfaqësues të grupeve të ndryshme demografike – të pasur, të varfër, studentë, punëtorë, biles edhe sportistë të njohur. Por kryeministri Erdohan nuk ka treguar shenja tërheqjeje. Dje ai i përshkroi demonstruesit si rrugaçë dhe plaçkitës dhe e cilësoi faqen elektronike Twitter si një ligësi. Twitter është përdorur si mënyra kryesore e komunikimit mes protestuesve. Ai fajësoi partitë e tjera politike për trazirat.

Kryeministri thotë se partia kryesore e opozitës po bën thirrje për rezitencë në çdo cep. Opozita, thotë kryeministri, po manipulon një proces paqësor pasi ndjehet e paaftë për ta mundur në zgjedhje.

Por partitë kryesore politike të opozitës janë treguar të kujdesshme dhe kanë shmangur kontakte të afërta me protestuesit. Vëzhguesit thonë se për momentin thirrjet e protestuesve për mbrojtjen e lirive të individit kanë gjetur jehonë në shoqërinë turke. Ndërkohë që as kryeministri, as protestuesit nuk kanë treguar shenja se do të tërhiqen, gjendja vazhdon të acarohet.
XS
SM
MD
LG