Lidhje

“Starbucks” trajnon punonjësit për tolerancë racore


Kompania gjigande që ofron kafe, Starbucks mbylli 8 mijë dyqane drekën e djeshme (të martën) për të trajnuar 175 mijë punonjësit e saj mbi tolerancën racore. Kjo lëvizje vjen pas arrestimit të dy amerikanëve zezakë në një kafene në Filadelfia, çfarë shkaktoi zemërim në mbarë vendin. Disa thonë se incidenti në kafenenë Starbucks nxjerr në pah problemet e kahershme të diskriminimit racial në Shtetet e Bashkuara.

Premtimin për ndryshim, Starbacks filloi ta zbatonte që nga e marta kur mbylli dyert për klientët për të trajnuar 175 mijë punonjës, se si të jenë më mikpritës.

Trajnimi katër orësh për tolerancë racore vjen si reagim pas arrestimit të dy burrave zezakë në një kafene në Filadelfia në muajin prill.

Starbucks u akuzua për racizëm pasi menaxheri i kafenesë thirri policinë ndërsa dy personat thanë se po prisnin të takoheshin me një mik. Incidenti rigjallëroi debatin kombëtar mbi tensionet racore në Shtetet e Bashkuara. Juli Krug banon në Filadelfia.

“Është një çështje mjaft e gjerë. Ka të bëjë me ndarjen racore dhe çështje më të thella sistematike. Mendoj se Starbucks është simbol i kësaj dhe asaj që ndodhi dhe ndodh gjatë gjithë kohës.”

Kafeneja në Filadelfia ishte mes 8 mijë dyqaneve ku punonjësit diskutuan për tolerancën racore.

Shtrohet pyetja, a mund të mësosh punonjësit që të mos jenë racistë ? David Rock është specialist për këto çështje.

“Sfida me paragjykime pa vetëdije është se ne nuk e kuptojmë kur veprojmë në mënyrë të njëanshme. Çdo strategji që fillon me “Si i nxisim njerëzit që të jenë më pak të njëanshëm ?” do të jetë një betejë e vështirë”.

Ai thotë se kjo është një përpjekje novatore nga kompania Starbucks.

“Përparësia e kësaj çështje është padyshim hapi i parë për të ndryshuar mënyrën e punës dhe sjelljes indivuduale.”

Por ka edhe nga ata, si banori i Filadelfias Adam Edgerton, që shtrojnë pikëpyetje mbi qëllimet e trajnimit.

“Trajnimet njëditore nuk arrijnë gjë. Nuk jam i sigurtë nëse ka një plan më të plotë. Duket më tepër si një përpjekje për imazh ndaj publikut se sa diçka kuptimplotë.”

Trajnimi mund t’i kushtojë Starbucks më shumë se 12 milion dollarë. Gjigandi, që zotëron më shumë se 25 mijë kafene në mbarë botën, thotë se ky është hapi i parë në një proces afatgjatë për të rifituar respektin e adhuruesve të kafesë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG