Lidhje

SHBA, Zgjedhjet lokale, barometër për opinionin e votuesve


Votuesit në shtetin e Virxhinias po votojnë të martën për të zgjedhur një guvernator të ri, në një nga proceset zgjedhore lokale që mund të shërbejë si barometër i vlerësimit që japin amerikanët për Presidentin Donald Trump dhe Partinë Republikane.

Anketat tregojnë në shumicën e rasteve një garë të fortë mes republikanit Ed Gillespie dhe demokratit, aktualisht zëvendës guvernator i Virxhinias, Ralph Northam. Virxhinia njihet si shtet fushëbetejë, që voton herë për kandidatin republikan, herë atë demokrat.

Në Nju Xhërsi, guvernatori Chris Christie, i cili ka pësuar rënie shumë të madhe madhe në popullaritet, do t'ia lërë vendin njërit prej dy kandidatëve: Zëvendës Guvernatores Kim Guadagno, ose demokratit Phil Murphy, që gëzon epërsi në anketa.

Votimet e së martës kanë rëndësi për të matur pulsin e votuesve, ndërsa republikanët dhe demokratët përpiqen të hartojnë strategjitë për zgjedhjet e 2018 për Kongres

Presidenti Trump ka shprehur mbështetje entuziaste për kandidatin Gillespie, megjithëse vetë kandidati është përpjekur të distancohet nga presidenti.

Presidenti Trump, i cili po zhvillon një turne në pesë vende aziatike, postoi një numër komentesh në Twitter në mbështetje të Gillespiet. Fillimisht presidenti postoi komente që sulmonin kundërshtarin e kandidatit republikan, duke thënë se Gillespie do ta neutralizonte bandën kriminale MS-13.

An electronic voting machine is seen at a polling station in Fairfax, Virginia, Nov. 7, 2017. (Photo: Diaa Bekheet)
An electronic voting machine is seen at a polling station in Fairfax, Virginia, Nov. 7, 2017. (Photo: Diaa Bekheet)

"Ralph Northam do të lejojë krimin të dalë jashtë kontrollit në Virxhinia. Ai është i dobët përballë krimit, i dobët në mbështetje të veteranëve, është kundër Amendamentit të Dytë (të drejtën e armëmbajtjes)....

Gara për guvernator në Virxhinia është shoqëruar me tone të forta racore. Gillespie është përpjekur të tërheqë votues që mbështetën Presidentin Trump, me reklama për imigracionin dhe statujat që nderojnë figura të Konfederatës së Jugut gjatë Luftës Civile amerikane.

Northam është përpjekur ta lidhë Gillespien me supremacistët e bardhë që u mblodhën në Sharlotsvill të Virxhinias këtë verë në mbështetje të monumenteve të Konfederatës.

Në Nju Xhërsi, kandidati Murphy, i cili ka shërbyer gjatë administratës së Presidentit Obama si ambasador amerikan në Gjermani, është betuar të kufizojë ndikimin e presidentit Trump në këtë shtet.

Rivalja e tij, republikania Guadagno është përpjekur të distancohet nga Trumpi dhe guvernatori aktual, Christie, por nuk ka qenë e lehtë pasi ajo ka shërbyer si zëvendëse e Christiet për tetë vjet. Ajo premton ulje taksash për pronat, dhe heqjen e statusit mbrojtës që disa qytete u ofrojnë imigrantëve të paligjshëm.

Në gara bashkiake, anketat parashikojnë rizgjedhjen e kryebashkiakut të Nju Jorkut, demokratit Bill de Blasio dhe të kryebashkiakut të Bostonit, Marty Walsh. Gara për kryetarë bashkish zhvillohen edhe në Atlanta, të Xhorxhias, Sharlot, të Karolinës së Veriut, Detroit të Miçiganit dhe në Siatëll të shtetit Uashington.

Pritet që në shtetin Jutah të fitojë republikani John Curtis, një përkrahës i fortë i Donald Trumpit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG