Lidhje

Vdiq Stephen Hawking


Stephen Hawking, mendja e shkëlqyer e të cilit shkonte në kohë dhe në hapësirë edhe pse trupi i tij ishte paralizuar nga sëmundja, ka vdekur në moshën 76 vjeçare, tha një zëdhënës i familjes të mërkurën herët në mëngjes.

Fëmijët ë tij, Lucy, Roberti dhe Timi thanë në një deklaratë se "ai ishte një shkencëtar i madh dhe një njeri i jashtëzakonshëm, puna dhe trashëgimia e të cilit do të jetojë për shumë vjet".

Fizikani më i njohur teorik i kohës së tij, Stephen Hawking ka shkruar kaq qartë për misteret e hapësirës, kohës dhe vrimave të zeza saqë libri i tij "Një histori e shkurtër e kohës" u bë një nga librat më të shitur ndërkombëtar, duke e bërë atë një prej të njerëzve më të famshëm të shkencës që prej Albert Einsteinit.

Zoti Hawking ishte një fizikan me ide të guximshme. Puna e tij ishte përqendruar në tejkalimin e hendekut mes teorisë së relativitetit të Albert Einsteinit - e cila shpjegon se si forca e rëndesës kontrollon lëvizjen në hapësirë të objekteve të mëdha si yjet dhe planetet - dhe teorisë së fizikës kuantike, e cila merret me vetitë e grimcave subatomike.

Stephen Hawking ishte pothuajse tërësisht i paralizuar nga skleroza anësore amiotrofike, një sëmundje nervore e pashërueshme. Ai përdorte karrige invalidësh dhe i duhej të flasë me ndihmën e një kompjuteri. Kur ishte 65 vjeç, atij i dhuruan diçka të veçantë: një udhëtim në një avion që simulon mungesën e forcës së rëndesës, si në rastin e astronautëve në hapësirë.

"Ishte e mrekullueshme, dhe nuk pata asnjë problem. Mund të kisha vazhduar pa fund", tha i atëbotë

Stephen Hawking e kishte trupin të paralizuar, por mendja e tij endej e lirë. Në vitin 2008, gjatë një ceremonie me rastin e 50 vjetorit të Agjencisë Amerikane të Hapësirës, NASA, ai bëri thirrje për fillimin e një epoke të re në eksplorimin e hapësirës prej njeriut, e krahasueshme, tha ai, me udhëtimet evropiane në "Botën e Re" më shumë se 500 vjet më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG