Alenca e NATO-s paralajmëron Maqedoninë, një vend kandidat për aderim në aleancë, të mos lejojë përsëritjen e incidenteve të dhunshme që u regjistruan dje në parlamentin e vendit, kur protestuesit u futën me forcë në selinë e organit legjislativ. Gjatë trazirave mbetën të lënduar dhjetëra vetë, ndër të cilët dy kryetarë partish. Ministri i brendshëm tha sot se policia dështoi në mbrojtjen e institucionit më të lartë ligjvënës për shkak të strukturave të ndikuara nga parti politike. Organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje për maturi dhe për uljen e tensioneve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se autoritetet e Shkupit kanë një përgjegjësi solemne “për të ruajtur shtetin ligjor dhe për të garantuar sigurinë e Parlamentit dhe anëtarëve të tij në çdo moment”.
Ai shtoi se “akte të tilla dhune si ato që pamë dje nuk duhet të lejohen të përsëriten më”.
Shefi i Aleancës u bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë në vend të tregojnë qetësi, vetëpërmbajtje dhe respekt për proceset demokratike.
Facebook Forum