Lidhje

Stoltenberg: Numri i emigrantëve ka rënë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se numri i emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë detin Egje nga Turqia për në Evropë po bie ndjeshëm. Por ai shtoi se kontrabandistët mund të ndryshojnë rrugët e trafikimit prandaj autoritetet nuk duhet t’i pakësojnë para kohe përpjekjet e sigurisë.

Duke folur sot në Ankara, Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg tha se në bazë të informacioneve të Aleancës, numri i emigrantëve ka rënë, si rezultat i ndihmës së NATO-s me operacionet në detin Egje.

"Turqia ka ndërmarrë veprime për të ndihmuar në frenimin e trafikimit të njerëzve. Shifrat e organizatave të ndryshme konfirmojnë se numri i emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë detin Egje po pakësohet ndjeshëm,” tha zoti Stoltenberg.

Por ai paralajmëroi se emigrantët vazhdojnë të përpiqen për të kaluar dhe se numri i tyre mund të rritet përsëri në qoftë se NATO-ja dhe partnerët e saj i ndalin përpjekjet.

"Ne kemi parë një pakësim të ndjeshëm në shifra. Por unë mendoj se është e rëndësishme të mos e ndalim punën tepër herët. Sepse ne ende shohim që kontrabandistët vazhdojnë përpjekjet për kalimin e njerëzve nëpër Egje. Nëse i ndërpresim veprimet tona, atëherë mund të shohim shtimin e numrit të atyre që përpiqen për të kaluar Egjeun në mënyrë të paligjshme dhe të rrezikshme", tha zoti Stoltenberg.

Turqia dhe BE-ja muajin e kaluar nënshkruan një marrëveshje që synon t’i japë fund hyrjes kaotike të emigrantëve dhe refugjatëve në Evropë. Më shumë se 1.1 milion hynë në BE gjatë vitit të kaluar, kryesisht nëpërmjet Greqisë nga Turqia.

Ndërkohë, sot, rreth 235 emigrantë u sollën në portin sicilian të Augustës pasi u shpëtuan në det.

Shumica ishin nga Eritrea, Egjipti, Sudani dhe Siria. Mendohet se ata ishin nisur nga Egjipti për të kaluar drejt Italisë. Ata u kapën në det mes Maltës dhe Greqisë, me një operacion të përbashkët italian dhe grek shpëtimi.

XS
SM
MD
LG