Lidhje

Kolegët për studiuesit e vrarë nga tornadoja


Vdekjet e tre studiuesve të respektuar të tornadove pranë qytetit të Oklahomës kanë ngritur përsëri shqetësime për rreziqet që sjell ndjekja e stuhive të fuqishme në zonën e ashtuqujatur Korridori i Tornadove, pavarësisht nga motivet që i nxisin këta studiues. Meteorologët thonë se ndjekësit me përvojë të stuhive ofrojnë nga terreni të dhëna të rëndësishme që nuk mund të nxirren me anë të radarëve.

Njekësit me përvojë të stuhive, Tim Samaras, djali i tij Paul dhe kolegu Carl Young humbën jetën të premten kur një uragan i fuqishëm në afërsi të El Renos, në Oklahoma, i goditi ndërsa ata po kryenin studime. Qendra Sinoptike Kombëtare publikoi një deklaratë ku thuhej se tre personat janë të parët "viktima të stuhive" ndër studiuesit.

Vetëm pak javë më parë Tim Samaras tha për National Geographic se Oklahoma konsiderohet si "Meka e ndjekjes së stuhive” dhe se shpesh aty gjen me qindra ndjekës stuhish nëpër rrugë. Meteorologët thonë se ndjekësit me përvojë të stuhive ofrojnë nga terreni të dhëna me rëndësi që nuk mund të nxirren me anë të radarëve matës.

"Shumica e studiuesve duan të shohin dhe të mësojnë se cili është elementi përbërës magjik i cili bën që një stuhi, apo një vetëtimë, të shkaktojë tornadon, ndërkohë që një tjetër stuhi po aq intensive nuk arrin të shndërrohet në tornado."

Por kohët e fundit, studiuesit e mirëfilltë ndeshen gjithmonë e më shpesh në terren me ndjekës amatorë të stuhive, të frymëzuar nga emisionet televizive apo njerëz që rendin nga një stuhi në një tjetër duke u përpjekur të filmojnë pamje për t’i shitur me çmim të lartë.

Kolegët e zotit Samaras thonë se ai merrte masa të shumta sigurie, kalonte orë të tëra në kërkim të modeleve të motit dhe paramendonte rrugë të sigurta shpëtimi.

Tim Samaras themeloi kompaninë TWISTEX, për të kuptuar më mirë krijimin e tornadove, proceset e vazhdimit dhe të zbutjes së tyre si dhe për të përmirësuar sistemet paralajmëruese të uraganëve. Kohët e fundit kompania e zotit Samaras punonte për emisionin Storm Chaser të kanalit televiziv Discovery.

Ben McMillan një ndjekës i stuhive që punonte me Tim Samaras për emisionin thotë se stuhia e së premtes, që i mori jetën zotit Samaras dhe ekipit të tij, ishte shumë e paparashikueshme dhe me ndryshime të shpejta.

"Ishte një uragan vërtet i egër. Ndryshonte me shpejtësi dhe përmbante tornado të shumta që u shndërruan në një uragan të madh dhe më pas në një tjetër edhe më të fuqishëm, duke ndryshuar shumë shpejt drejtimin dhe intensitetin. Ishte një stuhi e vështirë për t’u ndjekur."

Të premten, gjatë të njëjtës stuhi humbën jetën të paktën 14 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.
XS
SM
MD
LG